Maqedoni

Kontrollet e rregullta i’a shpëtuan jetën Antigonës nga Shkupi

Antigona Seferi, nënë e dy fëmijëve, e cila sapo ka kaluar të 40-tat dhe jeton në Shkup, dy vjet më herët ishte diagnostikuar me kancer në gji.

Për këtë sëmundje Seferi mësoi pasi bëri mamografinë dhe ekografinë e kraharorit, jo për shkak të ndonjë shqetësimi në gji, por pasi ndiente plogështi pas kalimit të infektimit me COVID-19.

“Nuk kisha simptoma, por pasi bëja kontrolle të rregullta, mbase ishte një instinkt i brendshëm, një ndihmë nga Zoti që më detyroi të shkoj te mjeku dhe ta zbuloj sëmundjen”, tregon ajo për Radion Evropa e Lirë.

“… po mos ta ndiqja atë instinktin e brendshëm dhe të shkoja ta bëja ekografinë e gjirit [ekzaminimi i strukturës së indit të gjirit], sëmundjen do ta zbuloja në fazë shumë më të avancuar dhe sigurisht situata ime do bëhej shumë më e komplikuar, mandej edhe trajtimi nga kjo sëmundje do ishte shumë më i vështirë”, thotë Seferi.

Ajo thotë se pacientët që përballen me sëmundjen e kancerit i pret një betejë e vështirë me kushtet e këqija në Spitalin e Onkologjisë në Klinikën “Nënë Tereza” në Shkup. Kjo, sipas saj, për shkak të numrit të madh të pacientëve të diagnostikuar – kundrejt stafit të vogël në këtë spital dhe mungesës së ilaçeve.

“Mua personalisht më është dashur të pres me muaj… dhe vazhdoj të pres të më caktohet termin, për të bërë disa analiza shtesë që kanë të bëjnë me sëmundjen dhe vazhdimin e trajtimit”.

“Edhe pse kanë kaluar tre muaj unë akoma nuk kam një datë të caktuar për skanim PET/CT [v.j. përmes skanim PET/CT përcaktohet faza e kancerit dhe protokolli i trajtimit të kancerit], i cili është shumë i rëndësishëm për shëndetin tim. Kjo është një humbje madhe kohe që mund të jetë edhe fatale”, rrëfen ajo.

*Video: “E prisja fundin”

Ajo thotë se shpesh mungojnë edhe ilaçet, tabletat dhe ineksionet që merren pas kimoterapisë.

Seferi, e cila punon si përkthyese profesionale në institucionet e Maqedonisë së veriut, thotë se për asnjë ditë nuk është shkëputur nga puna dhe kjo ia ka bërë më të lehtë që ta përballojë sëmundjen.

Ajo thotë se krahas mbështetjes së dy fëmijëve të saj dhe bashkëshortit, kancerin ka arritur ta sfidojë përmes bashkëjetesës me natyrën. Seferi thotë se çdo ditë bën ecje të gjata në natyrë, përfshirë rrugën nga shtëpia deri në punë, që është një distancë prej rreth 3 kilometrash.

“Realisht, edhe më parë e kam dashur shumë natyrën, por tani më duket se edhe më shumë i shijoj ecjet në natyrë. Tani mundohem të gjej lumturi në gjërat e vogla”, thotë ajo.

Kanceri në gji prek edhe gratë nën moshën 30-vjeçare

Në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar me kancer në gji janë diagnostikuar 825 gra, pesë nga të cilat kanë qenë nën moshën 29-vjeçare.

Mjeku onkolog, Nino Vasev, thotë për REL-in se gjithnjë e më shumë ulet mosha e grave të prekura nga kanceri i gjirit.

“Kemi pasur dhe paciente të moshës 19 deri 29 vjeçare, ndonëse përqindja e grave në këtë moshë është e ulët”, thotë ai.

“Pas moshës 30-vjeçare, çdo grua përpos kontrolleve të rregullta te gjinekologu, duhet të bëjë ekografi të gjirit”, thotë Vasev.

Ministria e Shëndetësisë në Shkupt thotë se kanë filluar ndryshime në mënyrën e udhëzimit dhe paraqitjes së termineve për mamografi, ekografi të gjirit dhe biopsi, përmes së cilave ndryshime mundësohet që në radiologji të udhëzohen gratë me qëllim që të zvogëlohet koha dhe rruga nga kontrolli në trajtim.

Nga 1 nëntori në Maqedoninë e Veriut do të ketë kontrolle falas për kancerin e gjirit.

“Në programin kombëtar të diagnostikimit do të përfshihen gratë e moshës 45 deri në 69 vjeç, të cilat nuk kanë bërë mamografi në dy vjetët e fundit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

“Dua të apeloj te të gjitha gratë, çfarëdo moshe qofshin ato, se edhe po u ballafaquat me një diagnozë si e imja, mos u trembni. Vazhdoni luftoni, mos u dorëzoni sepse ka jetë edhe pas kësaj sëmundje. Madje, akoma edhe më shumë tani ia di vlerën jetës”, porosit Seferi.

Maqedonia e Veriut pret që të furnizojë me mamografi mobile qendrat rajonale shëndetësore, me qëllim të zbulimit të hershëm dhe trajtimit të sëmundjeve malinje. Këto pajisje pritet të sigurohen në bashkëpunim me Bankën Botërore./REL