Osmani: Njohja reciproke është domosdoshmëri, SHBA-ja s’na kërkoi marrëveshje finale pa njohje
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me homologun e saj nga Malta, George Vella, ka thënë se temë diskutimi në këtë takim ka qenë përmbushja e kritereve nga ana e Kosovës për liberalizimin e vizave, për çka tha se shpreson që në dhjetor të merret një vendim pozitiv.
Në konferencën e përbashkët me Vellan, Osmani ka folur rreth deklaratës së të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se “SHBA-ja i thotë po një marrëveshjeje pa njohje nëse palët e dialogut pajtohen”.
Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Kosova një marrëveshje finale pa njohje reciproke.
Sipas saj, njohja e ndërsjellë është e vetmja zgjidhje që sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
“Janë tjetër gjë propozimet për marrëveshje specifike që janë diskutuar në Bruksel, siç është ajo për energjinë, apo edhe tema tjera që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Nuk ka pasur kërkesë qoftë nga SHBA-ja apo partnerët tjerë brenda BE-së që Kosova të heqë dorë nga njohja reciproke pasi është domosdoshmëri që të jetë pjesë e marrëveshjes finale”, ka thënë ajo.
Osmani ka shtuar se qëndrimi amerikan është i qartë, presidenti Biden ka kërkuar me shkrim që njohja reciproke të jetë në qendër të marrëveshjes, po ashtu edhe sekretari Blinken.
Pas takimit me Vellan, Osmani është shprehur mirënjohëse për përkrahjen e Maltës.
“Kohëve të fundit ka pasur rritje të eksporteve dhe importeve shpresoj që kjo të rritet. Siç diskutuam gjatë takimit, kanë kaluar më shumë se katër vjet që Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim, ne shpresojmë që në dhjetor të merret një vendim pozitivisht, pasi nëse vazhdon izolimi do të ishte padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve”, ka thënë ajo.
Osmani ka përmendur edhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për çka tha se do të ishte vendim që do të ndihmonte në rritjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.