Maqedoni

Geer: BE-ja në gjirin e saj nuk dëshiron të importojë mosmarrëveshje mes fqinjëve

Kreu i delegacionit të BE-së në Shkup, David Geer ka bërë të qartë sot, BE nuk dëshiron të sheh importimin e dallimeve dhe mosmarrëveshjeve mes fqinjëve në hapësirën e vet, duke aluduar në kontestet historike mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Gjatë konferencës “Mundësitë e zgjerimit”, që u mbajt nën organizim të ambasadës së Çekisë në vend, Geer tha se, çdoherë ekzistojnë çështje të ndjeshme, konteste dhe mosmarrëveshjeve mes fqinjëve, megjithatë duhet të punohet vazhdimisht në to, pasi raportet e mira fqinjësore janë pjesë thelbësore e procesit të anëtarësimit. Ai porosit që qasja ndaj këtyre çështje të jetë transparente dhe të veprohet me respekt pasi, siç theksoi euroambasadori, kjo nuk nënkupton humbje e identitetit.

“Ne duhet të dëgjojmë njëri tjetrin dhe të zgjasim dorën e miqësisë, është në interesin tonë të veprojmë kështu. Ju nuk e humbni identitetin duke vepruar në këtë mënyrë. Procesi i anëtarësimit në BE mund të jetë mjet për të ndihmuar promovimin dhe përmirësuar raportet përmes resurseve që do të bëhen të qasshme, përmes hapjes së tregjeve, përmes përmirësimit të lidhshmërisë dhe shkëmbimit njerëzor… Edhe një herë, ky proces nuk duhet të përfshijë dorëheqje nga historia apo dorëheqje nga identiteti. Në të vërtetë, sipas meje, është e kundërta pasi anëtarësimi në BE sjell me vete përparësitë e stabilitetit të madh, prosperitetit dhe llogaridhënie demokratike”, deklaroi Euroambasadori David Geer.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe ambasaroi i Bullgarisë në Shkup, Аngel Angelov. Megjithatë, në fjalimin e tij ai ka anashkaluar temën e kontestit historik dhe ka folur vetëm për raportet ekonomike mes dy shteteve. Në këtë drejtim, ai tha se për herë të parë, shkëmbimi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë deri në fund të viti, do të tejkalojë shifrën e një miliardë euro, që do të thotë se, siç theksoi ai, biznesi e ndjek trendin e mirë të raporteve. Angelov po ashtu potencoi edhe ai theksoi rëndësinë e përfundimit të plotë të Korridorit 8, i cili do të ndërlidh Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Shqipërinë dhe Italinë.

“BE i kushton vëmendje speciale Korridorit 8, be e financon atë, posaçërisht ndërlidhjen hekurudhore me Bullgarinë. Duke pasur parasysh agresionin rus ndaj Ukrainës kompletimi i shpejtë i korridorit 8 është bërë rëndësi parësore për sigurinë nacionale të shteteve tona, por po ashtu edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Angel Angelov- Ambasador i Bullgarisë në RMV.

Ambasadorja e Suedisë, Ami Larson Jain, vendi i së cilës merr presidencën me BE-në nga janari, përshëndeti këtë iniciativë për dialog konstruktiv, në të cilin do të përfshiheshin edhe sektori civil dhe komuniteti i biznesit. Ajo theksoi se, bashkëpunimet e të gjitha llojeve, tani janë më të nevojshme se kurrë më parë në këto kohëra shumë sfiduese për kontinentin tonë dhe potencoi rëndësinë e unifikimit dhe bashkëpunimi, si rruga e vetme për të ecur përpara dhe për të ruajtur aleancat.