Maqedoni

Opozita Shqiptare denoncon: Drejtori i BDI i jep tender djalit të Ambasadorit të BDI!?

Ky pushtet prodhon më shumë skandale të korrupsionit se ç’mund t’i ndjekë opozita dhe opinioni i përgjithshëm. Derisa ende nuk kanë përfunduar komentet rreth arrestimit të ish Sekretarit të Qeverisë, pikërisht për arsye të korrupsionit, një aferë e përmasave të këtilla po zbulohet edhe në Drejtorinë e Librave amë që udhëhiqet nga kuadri i BDI-së, Bujar Dardhishta. Siç u raportua në media, në emër të digjitalizimit të librave amë, aty është realizuar një tender në vlerë prej afër gjysmë milionë euro (më saktë 480.000 euro), të cilin e ka fituar ndërmarrja “Nova inv” – pronë e të birit të një ish funksionari të BDI-së dhe aktualisht ambasador në një vend evropian. Kjo ndërmarrje është krijuar para tre muajve ose vetëm një muaj para se të shpallet furnizimi publik. Dyshimi mbetet edhe te kriteret e vendosura. Ndryshimi i kushteve themelore, ku në vend të përvojës së ndërmarrjes dhe stabilitetit të saj financiar, janë vendosur kualifikimet e personelit dhe kjo, si duket, është bërë me qëllim që atë ta fitojë ndërmarrja përkatëse, madje duke i diskualifikuar aplikuesit e tjerë ose duke pamundësuar aplikime të tjera. Duke pasur dyshim të bazuar, sot jemi këtu që në emër të koalicionit Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA të reagojmë dhe të kërkojmë nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ta hetojë këtë rast. Poashtu kërkojmë edhe nga Prokuroria Publike që të veprojë përkitazi me këtë lëndë. Meqë ky nuk është rast i parë ku Drejtoria e Librave amë realizon tenderë të këtillë të dyshimtë, presim nga institucionet e lartpërmendura që në emër të transparencës të japin më shumë detaje rreth këtyre shenjave të korrupsionit. Përveç kësaj, kërkojmë të na njoftojnë se për llogari të cilit funksionar të BDI-së janë realizuar këto përfitime. A është përfituesi i fundit drejtori i këtij institucioni apo kjo shkon deri te kryetari i BDI-së? Ne si opozitë do të presim përgjigje dhe nuk do të heqim dorë nga interesi ynë për ta kuptuar të vërtetën. Në të kundërtën, do të duhet të konkludojmë se bëhet fjalë për korrupsion tipik që sponsorizohet nga pushteti. Për fund, duhet ta përsërisim se një qeveri që edhe në kushte të krizës ekonomike dhe të pandemisë synon të vjedhë para publike, sigurisht që nuk meriton të vazhdojë të qeverisë. Prandaj, një shumicë e re, një qeveri me bazë të gjërë ose një qeveri ekspertësh mund të ishte shpëtimi nga kjo gjendje.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA.