Maqedoni

Sela dhe Gashi do ta shpëtojnë pakon e pestë ekonomike nga obstukcionet e Talat Xhaferit dhe VMRO-DPMNE-s

Për nesër, në ora 14 është planifikuar vazhdimi i seancës së 32-të, dhe pas përfundimit të saj, do të vazhdojë seanca e 36-të, e cila përfshin ligjet nga paketa e pestë e masave ekonomike.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, paralajmëruan se do të ndihmojnë rreth kuorumit.

“Në seancën e 36-të, sigurisht se do të marrim pjesë dhe do të deklarohemi për masat që duhet tu ndihmojnë qytetarëve. Dhe, në raport me seancën 32, që duhet të mbahet 15 minuta më herët, nëse vërtetë ka nevojë për kuorum, dhe nuk ka, atëherë deputetët tanë do të hyjnë në sallën e kuvendit, dhe do ta sigurojnë atë. Edhe pse nuk e dime, cila është arsyeja e vërtetë, pse insiston në atë seancë, që mos ti sigurojmë atij dhe BDI-së arsyetim, se gjoja ne jemi fajtorët, ne do të marrim pjesë në atë seancë”, pohoi Afrim Gashi, lider i Alternativës.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski shpreson se do të mbizotërojë arsyeja, dhe kompanitë do ta marrin ndihmën e nevojshme.

Nga grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së thonë se ata nuk do të marrin pjesë në seancën e 32-të, por do të jenë të pranishëm dhe do të votojnë vetëm për ligjet nga paketa e pestë e masave.