Maqedoni

BDI konstituon organet e partisë në restaurant dasmash

Edhe 3 ditë nga thirrja e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, pas ujdisë që u arrit më 4 tetor në takimin e të ashtuquajturit “Grupi i zjarrit”, me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Grupi i përfaqësuar nga Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Nevzat Bejta dhe Musa Xhaferi dhe rreth 20 firmëtarë të tjerë që qëndronin pas letrës fillestare drejtuar kreut të BDI-së me kërkesën për themelimin e organeve të partisë, pret që të shtunën të konsumohen të gjitha pritshmëritë e tyre; thirrja e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, propozimi për kryesinë e gjerë dhe të ngushtë, dhe menjëherë pas themelimit të tyre, në po të njëjtën ditë, kryesia e gjerë ose ajo qendrore, prej 33 anëtarësh, të tërhiqet në zyrat e BDI-së me pikën e rendit të ditës, atë të inicimit të llogaridhënies së ekzekutivit, i kryesuar nga zv/kryeministri Grubi, shkruan Alsat.

Me llogaridhënien, i ashtuquajturi “Grupi i Zjarrit” ezauron jo vetëm kërkesën e tij për themelimin e institucioneve vakante prej gati 3 vjetësh në parti, por edhe atë të rikthimit të debatit brenda partiak, për mungesën e të cilit akuzonin drejtpërdrejt kreun e partisë dhe zv kryeministrin Grubi, sekretar organizativ i partisë, për shndërrimin e vendimmarrjes politike në pronë individuale.

Eksponentët e lartë të partisë, sikurse vetë nënkryetarët Mexhiti e Bejtja dhe të tjerët, ngitën zërin se janë lënë jashtë temave të rëndësishme të partisë, sikurse ato të llogaridhënies, të raportit të entit të statistikave, të krizës ekonomike në rajonet shqiptare, të zgjedhjeve të fundit lokale e shumë të tjera.

Nga BDI-ja deri tani nuk kanë komentuar, por nga zërat që qarkullojnë brenda saj, në një njoftim, kryeministri Grubi u ka treguar në vija të trasha anëtarëve të Këshillit, agjendën e asaj dite. Por në të, është anashkaluar thirrja për përgatitjen e anëtarëve të qeverisë për përgatitjen për llogaridhënie.

“Të nderuar anëtarë të Këshillit të përgjithshëm,

Kryetari Ahmeti ju fton në mbledhje të KP BDI në lidhje me: konstituimin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Këshillit të Përgjithshëm, shpalljen e zgjedhjeve në degët e forumit rinor si dhe në forumin rinor, si dhe në këshillat vendorë dhe degët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Mbledhja do te mbahet te shtunën, me 15 tetor 2022, me fillim ne ora 13:00, ne Tetove, restoranti ARRA”.

Sipas ujdisë së fundit me kreun e partisë, themelimi dhe funksionimi i organeve do të çojë në analizat dhe vendimmarrjet e ardhshme politike, përfshi edhe të ardhmen e kabinetit qeveritar të kryesuar nga Grubi. Zv kryeministri ishte në fokus të letrës së 25 shtatorit për zgjedhjet kadrovike, si privilegj i tij; po ashtu për sjellje arrogante dhe diletante me strukturat e partisë, që kishin shkaktuar pasivitet e revoltë. Kërkesat shkonin direkt edhe ndaj kreut të partisë, për ushtrim të autoritetit të vet politik e statutar për rikthimin e unitetit në parti. Me themelimin e organeve, priten edhe ndryshime në kryesinë qendrore prej 33 anëtarësh dhe atë të ngushtën prej 4 nënkryetarëve, 2 sekretarëve dhe zëdhënësit të saj. Po ashtu, rol të veçantë në organizimin dhe funksionimin partiak, peshë pritet të marrë edhe këshilli mbikëqyrës i Këshillit të përgjithshëm të partisë./ Alsat.mk