Maqedoni

Pacientët kërkojnë “veresi” ilaçet bazë

Depot farmaceutike, të cilat shpërndajnë barnat dhe preparatet kozmetike që shiten në barnatore kanë paralajmëruar se gjatë muajit tetor do të ketë rritje të reja të çmimeve. Sipas tyre, janë kompanitë farmaceutike vendore që kanë mbivlerësuar prodhimet e tyre ndërsa depot vetëm se distribuojnë ato. Në hall me çmimet e barnave janë edhe farmacitë që ballafaqohen çdo ditë me ankesat e pacientëve. Farmacisti Aulon Ramadani thotë se qytetarët në nevojë e kanë të pamundur të blejnë me këto çmime.

“Pacientët, të cilët nuk kanë mundësi t’i paguajnë barnat kanë kërkesa nëpër farmaci që tu jepen veresi. Por ne nuk mund të bëjmë listë të borxhit sepse nuk është e lejuar nga që në rast të inspektimeve nga autoritetet që të shikohet sasia në program dhe nëse të njëjtat nuk janë nëpër rafte mund të na dënojnë varësisht nga lloji i inspektoratit që na vijnë në kontrolle”, tha Aulon Ramadani, Farmacist.

Sipas autoriteteve për një pacient me diagnozë mesatare terapia mujore kushton nga 1,500 – 3,500den.
Për të balancuar tregun farmaceutik me sasinë e ilaçeve meqë nuk e frenojnë dot rritjen e çmimeve nga Ministria e Shëndetësisë thonë se do të zgjerojnë listën pozitive të barnave. Por kjo do të marr një vit. Ministri Sali tha se ndryshimet në listën pozitive do bëhen me dy faza, fillimisht do futen barnat primare.

“Ende ka barna që më nuk prodhohen andaj do të shtohen barna të reja që nuk janë aktualisht në listën pozitive. Për të njëjtat pacientët detyrohen ti blejnë nga xhepi i tyre me rekomandim të mjekëve. Ne jemi shteti që ka pagesat më të larta ‘out of pocket’ të pacientëve drejt sistemit. Shumica e tyre për blerje të ilaçeve dhe preparateve ndihmëse nga fondet private, përkatësisht nga buxheti familjar”, deklaroi Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.

Sipas të dhënave të Fondit shëndetësor, në 12 vitet e fundit nuk ka ndryshime të listës pozitive. Tani ka rreth 934 preparate farmaceutike që kompensohen nga fondi. Por, në produktet që nuk janë në listën pozitive, do të thotë barna që jepen pa recetë gjatë muajit shtator ka pasur rritje të çmimeve nga 6-20%./Alsat.mk