Maqedoni

Persona nga Venecuela kanë formuar dhjetëra kompani në Shkup, kanë sjellur 110 milionë euro përmes Moskës! (Video)

Një sërë kompanish në Shkup me drejtorë dhe menaxherë nga Venezuela janë themeluar në pranverën e vitit 2019 në dy lokacione në Shkup, zbuloi KOD në emisionin e sontëm.

Hulumtimi në emision tregon se kompanitë nga i ashtuquajturi “Karakasi i vogël në Shkup” kanë marrë pjesë në një operacion për transferimin e 110 milionë eurove nga Amerika e Jugut përmes llogarive në Eurostandard Bank.

Organet kompetente janë duke e hetuar rastin, por për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve nuk japin detaje.

Transaksionet e para të shumave të mëdha të eurove janë regjistruar në prill 2019. Modeli ka qenë i njëjti, janë paguar në llogaritë e kompanive maqedonase dhe kryesisht kanë ardhur përmes Rusisë, një prej vendeve të pakta që nuk ka sanksione për liderët e regjimit në Venezuelë.

Gjurma e parave Moskë-Shkup ishte e lehtë për t’u konfirmuar, thonë burimet e KOD. Por ishte e pazakontë që edhe pse paratë ishin të lidhura me venezuelasit e rrallë në Maqedoni, gjurmët dhe lidhja Karakas-Moskë nuk mund të zbulohej.

Paratë nuk kalonin përmes sistemit SWIFT gjatë arritjes në Maqedoni, kështu pas kontrollit të fluturimeve të avionit Karakas-Moskë supozimi më i mundshëm ishte që ato janë transferuar kesh në Rusi me avionë.

Më pas, përmes bankave ruse, rruga ka vazhduar për në vendet evropiane dhe 110 milionë euro kanë përfunduar në Maqedoni, në llogaritë e hapura në bankën Eurostandard.

Transaksionet janë pikasur nga Inteligjenca Financiare në Shkup, prej ku në përgjigjen për Thelma pohojnë se para 3 viteve e gjysmë i kanë ndërmarrë të gjitha aktivitetet e parapara me ligj dhe se prokuroria tashmë po heton bankën Eurostandard, “kështu që me çdo përgjigje për pyetjet tona, drejtoris nuk do të donte të ndikojë në rrjedhën dhe punën e mëtejshme të autoriteteve në asnjë aspekt”.

Hetimi paraprak u hap pas zbulimit të transfertave në maj 2019. Sipas informacioneve të KOD, 5 milionë euro nga paratë e Venezuelës janë ngrirë në Serbi me kërkesë të prokurorisë maqedonase.

Miliona shuma janë ngrirë edhe në llogaritë e kompanive maqedonase, por jo ato që kishin drejtorë nga Venezuela sepse ato para veçmë ishin tërhequr. Në Serbi janë ngrirë 5 milionë euro që duhej të transferoheshin në Bjellorusi.

Një kompani nga Maqedonia nga “skema e Venezuelës” dyshohet se bleu pleh artificial për atë sasi nga një kompani nga Bjellorusia, ku një diktator tjetër autokratik, Lukashenko, sundon prej vitesh. Paratë transferohen në një llogari në një kompani në Serbi.

Por transaksioni është zbuluar me kohë dhe me kërkesë të prokurorisë maqedonase, ato para janë ngrirë në Serbi.

Sigurisht që ka qenë një shitblerje fiktive, nuk është blerë pleh, por janë lidhur vetëm kontrata për të justifikuar kalimin e parave.