Maqedoni

UT kryeson me regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2022/23

Universiteti i Tetovës u shpreh mirënjohje të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar pikërisht në këtë Universitet për të studiuar në programet studimore që i ofron ky institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

Të rinjtë tanë, nga të gjitha qytetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe Lugina e Preshevës, në kuadër të afatit të parë kanë konkurruar në 89 programe studimore të njësive akademike të Universitetit tonë. Edhe më tej, programet studimore të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë mbeten ndër më të preferuarit, por është t’u përshëndetur interesimi edhe për fakultetet dhe programet tjera studimore. Aplikimi realizohet sipas sistemit të avancuar online: https://unite.edu.mk/apply/, duke e lehtësuar procedurën e konkurrimit të kandidatëve për studimet universitare.

Ekipet e përgatitura të administratës së Universitetit, përpos pranimit të dokumentacionit të nevojshëm, orientimit për ndjekjen procedurës së përgjithshme, kandidatëve u ofrojnë edhe asistencën e tyre për aplikimet online.

Afati i parë i regjistrimit do të përfundojë të premten, më 2 shtator, mirëpo ky proces ka paraparë realizimin edhe të dy afateve të tjera: afati i dytë: 13 – 16. 9. 2022 dhe afati i tretë: 26 – 28. 9. 2022.

Nga Komisioni për regjistrimin e studentëve në vitin akademik 2022/23 bëjnë të ditur se janë tejet të kënaqur me ecurinë e regjistrimit dhe numrin e lartë të kandidatëve që kanë aplikuar për studime. Ata theksojnë se pas përmbylljes së të gjitha afateve pritet që të plotësohen pjesa dërmuese e vendeve të parashikuara në konkursin e këtij viti akademik.