Bërns: SHBA luan rol të rëndësishëm për Ukrainën
Në sheshin e Shkupit u shënua 31 vjetori i Pavarësisë së Ukrainës, e cila po përballet me invazionin rus. Ambasadorët e huaj më flamuj ukrainas në duar dhanë mbështetje për Ukrainën, e cila prej 6 muajsh po përballet me luftën e paprovokuar të Rusisë. Ambasadorja amerikane në Shkup, Kejt Mëri Bërns tha se Shtetet e Bashkuara luajnë rol të rëndësishëm për të siguruar mbështetje për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin rus.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të jemi të bashkuar si bashkësi diplomatike me Shoqatën e Ukrainasve këtu, që të përkujtojmë se gjithçka është për ta, për njerëzit, për këta gra, fëmijë e familje të cilët para 6 muajsh u zgjuan nga sulmi i agresorit, i cili sulmon shtetin, atdheun e tyre. Bombardohen kishat, shkollat, objektet e infrastrukturat e tyre. Është e rëndësishme të përcillet porosia se jemi të bashkuar. SHBA-ja luan rol të rëndësishëm në përpjekjet globale për të siguruar mbështetje edhe përmes lidershipit për Ukrainën. Kjo do të thotë mbështetje sigurie, humanitare, ekonomike. Jemi krenar që kemi partner të fuqishëm në Evropë, por dhe në gjithë botën, një ndër to është Maqedonia e Veriut si partner i palëkundur, që ka dëshmuar mbështetje dhe solidaritet për Ukrainën”, u shpreh Kejt Mëri Bërns, ambasadore e SHBA-së.
Përfaqësues të ambasadës dhe shoqatës ukrainase në Shkup theksuan se lufta ndryshoi gjërat në të gjithë botën.
“Ukrainasit dëshmuan se janë të pathyeshëm. Falënderojmë të gjithë që treguan forcën e tyre në këtë periudhë, të gjithë që luftuan dhe luftojnë për Ukrainën dhe ndihmuan ushtarëve tanë. Falënderime për të gjithë miqtë tanë në të gjithë botën për ndihmën dhe mbështetjen për Ukrainën”, tha Ruman Buga, sekretar i parë në Ambasadën e Ukrainës.
“24 gushti për ukrainasit është festa më e rëndësishme, sepse pavarësia është pikërisht ajo për të cilën sot Ukraina”, u shpreh Oleksandar Urbanoviq, Shoqata e Ukrainasve.
6 muaj më parë Rusia nisi sulmet e pamëshirshme ndaj Ukrainës. Moska u përball me sanksione të ashpra ndërkombëtare, të cilave iu bashkëngjit edhe Maqedonia e Veriut. /Alsat.mk