AlternAtivA – Dega Tetovë: Kryetari i Tetovës më shumë kujdeset për ujqit e Komunës se për qentë endacakë të Tetovës
Të dashur qytetarë të Tetovës,
Para dy ditëve u informuam se Komuna e Tetovës, pra kryetari i saj, kanë realizuar një tender milionësh për kujdesin ndaj qenve endacakë. Prandaj sot jemi këtu për ta ngritur zërin si qytetarë të Tetovës, por edhe si pjesëmarrës në skenë politike lokale në Tetovë, si dhe për të shtruar disa dilema rreth këtij furnizimi publik.
Fakti se ky është tenderi i parë publik i Komunës së Tetovës dhe ai lë shumë hapësirë për dyshim, flet për kapacitetin që e ka kjo udhëheqësi e Komunës për ta qeverisur qytetin tonë. Së pari është indikative që tenderin e ka fituar një organizatë joqeveritare, për të cilën opinioni nuk ka asnjë informacion se ajo ka kapacitet për ta menaxhuar këtë problem të qytetit. Ashtu siç u raportua, shoqata që e ka fituar këtë tender nuk ka të regjistruar strehimore për kafshë në Agjencinë për Ushqim dhe Veterineri, gjë që lë për të dyshuar se bëhet fjalë për një mashtrim të radhës nga kryetari i Komunës dhe se ato mjete do të përfundojnë në gojën e ujqve të Komunës së Tetovës.
Prandaj, në mungesë së transparencës së këtillë, nuk mund të mos e shtrojmë pyetjen logjike se për çfarë kujdeset më shumë kryetari i Komunës së Tetovës, për qindra ujqit që duhet ta gëlltisin çdo denarë të buxhetit komunal apo për 80 qentë endacakë të qytetit?!
Me këtë rast dëshirojmë ta njoftojmë opinionin e Tetovës se Alternativa në Tetovë – në programin e saj zgjedhor për këshilltarë komunalë – e ka paraparë këtë çështje dhe ky është një problem për të cilin këshilltarët tanë do të kërkojnë të gjejë zgjidhje konform ligjit, por edhe me transparencë të plotë ndaj opinioni tetovar. Për neve buxheti i Komunës së Tetovës nuk është pronë private e asnjë individi dhe e asnjë partie politike, por është i të gjithë qytetarëve të Tetovës dhe prandaj nuk guxon të abuzohet me asnjë denarë.
Kjo brengë dhe ky detyrim na bën të ndërgjegjshëm për këtë garë zgjedhore, duke pohuar gjithnjë se Tetova ka Alternativë.
Ju faleminderit!