Maqedoni

Ukrainasit falënderojnë Maqedoninë e Veriut për donacionin me 30 tanke

Ukrainasit e pritën me entuziazëm lajmin që Maqedonia e Veriut do t’iu dhurojë tanke që do t’i ndihmojnë në betejën e tyre ndaj agresionit rus. Mediat atje bëjnë të ditur se qeveria e RMV-së ka marrë vendim që t’i dhurojë Ukrainës 30 tanke T-72 dhe se tashmë ato janë duke u transportuar në destinacionin e tyre përfundimtar.

Në rrjetet sociale figura eminente i shprehin mirënjohje Maqedonisë së Veriut për ndihmën ndërsa kritikohen vendet perëndimore, veçanërisht Gjermania, sepse edhe përkundër premtimeve për ndihmë në armatim, ende nuk ka vepra konkrete.

Në profilin e “Twitter” të gazetarit të “Kyiv Independent”, Ilija Ponomarenko, i cili i pari e bëri të ditur informacionin për donacionin, shihen dhjetëra komente pozitive drejtuar Maqedonisë.

Edhe aktivistja për të drejta të njeriut, Victoria Amelina ka shprehur falënderime duke shkruar se pas fitores ndaj agresorit rus, nëse mbijeton, Maqedonia e Veriut do të jetë destinacioni i saj i parë për pushime.