“S’është tragjedi nëse bullgarët futen në Kushtetutë”, Poposki: Nuk e di cili është qëllimi i referendumit
Korniza jonë negociuese është tërësisht e definuar nga Bullgaria. Praktikisht ata rrinë pas timonit dhe drejtojnë, kurse Maqedonia ende nuk i ka filluar negociatat. Kështu, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, shpjegoi tërë situatën lidhur me vendin tonë dhe anëtarësimin në BE. Ai shton se kryeministri Kovaçevski duhej të mbante qëndrimin kur në konferencën për shtyp në Bruksel i tha “JO” propozimit francez, për të siguruar një pozicion sa më të mirë për vendin. Poposki konsideron se futja e bullgarëve në Kushtetutën tonë nuk është i vetmi kusht për hapje zyrtare të negociatave, gjegjësisht të klasterëve, edhe pse kjo është definuar në kornizën negociuese në mënyrë të përpiktë. Shton se hapja e Kushtetutës dhe futja e bullgarëve nuk është ndonjë tragjedi e madhe, por megjithatë ka edhe disa vërejtje.
“Unë personalisht nuk e shoh këtë si një tragjedi. Personalisht mendoj se ne si shtet jemi deklaruar se sigurojmë të drejta të caktuara për të gjithë, nuk ka arsye që të përjashtojmë dikë prej kësaj. Ka shembuj më flagrantë sesa ai me bullgarët. Kemi shembull në Kroaci, ku komuniteti ynë është njohur tërësisht, merr fonde nga shteti, kurse te ne kroatët as nuk përmenden në Kushtetutë dhe nuk i kanë këto privilegje. Kroacia si vend-anëtar i BE-së nesër mund të na hapë ndonjë problem dhe të thotë – ne presim reciprocitet.
-Dhe është paralajmëruar se bashkë me bullgarët, do të futen edhe kroatët, edhe malazezët…
-T’ju them një gjë, nëse i shihni punët me argumente, Kroacia ka situatë të qartë me këtë, kurse Bullgaria jo. Ka aktgjykime të shumta nga Këshilli i Evropës, ka trajtim krejtësisht joadekuat sa i takon komunitetit maqedonas në Bullgari“, tha Nikolla Poposki, ish-ministër i Punëve të Jashtme.
Lidhur me nismën e VMRO-DPMNE-së për referendum, Poposki vlerëson se pa pasur një formulim të qartë të pyetjes dhe pa e përcaktuar qëllimin përfundimtar, vetëm “qëllojmë në ajër”. Para se të mbahet një referendum, duhet të dihet qëllimi i tij.
“Më me rëndësi është se me sa inteligjencë do të organizohej ky referendum. Ne duhet të nisemi nga qëllimi final, e pastaj të kthehemi mbrapa. Jo vetëm të themi – duam referendum. Ja për shembull doni referendum, mirë, dhe në të nuk do të dalë numër të mjaftueshëm, çka keni bërë? Asgjë. Të themi se do të dalin njerëz të mjaftueshëm dhe do të thonë – nuk jemi për në BE. Çka keni bërë? Prapë asgjë“, deklaroi Nikolla Poposki, ish-ministër i Punëve të Jashtme.
Ish-shefi i diplomacisë, thotë se nga BE-ja kurrë nuk do të marrim garanci me shkrim, por shton se me formulimin e këtillë të dokumentit për kornizën negociuese, Bullgarisë i lihet hapësirë të bllokojë sërish. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme është të dihen vijat e kuqe, gjegjësisht të dihet deri ku shteti mund të lëshojë pe dhe të pranojë kushte. Poposki shton se anëtarësimi i plotfuqishëm në BE duhet të mbetet prioritet strategjik.