Shqipëri

Presidenti i ri Bajram Begaj u drejtohet shqiptarëve: Do të jem shërbëtori juaj!

Presidenti i ri i Republikës, Bajram Begaj pas marrjes zyrtare të detyrës dhe dorëzimit të Kushtetutës nga drejtuesja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha ka mbajtur një fjalim për t’iu adresuar popullit.

Ai e ka vendosur theksin tek uniteti kombëtar dhe lënia mënjanë e ndasive të klasës politike, aq më tepër që Shqipëria i është futur zyrtarisht rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian me çeljen e negociatave.

FJALA E PRESIDENTIT BEGAJ:

Sot është dita më e rëndësishme e jetës sime. Ju drejtohem me nderin dhe privilegjin më të lartë të një individ të zgjedhur në postin më të lartë të shtetit atë të Presidentit të Republikës.

Sot u betova për besnikëri ndaj Kushtetues dhe ligjeve të vendit. Për të mbrojtur pavarësinë e Republikës. Do të jem shërbëtor i popullit tonë, bashkëpunëtor i palëkundur i unitetit kombëtar. Do të jem kontribuues dhe përkrahës i komunikimit dhe nismave e ideve që çojë përpara shoqërinë tonë, Dialogu dhe bashkëpunimi midis forcave politike, dëgjimi i vëmendshëm i zërit të medias së lirë, respektimi dhe pranimi i debatit mundësojnë që forca e tij të mishërohet në mirëqenie, zhvillim e progres për vendin. Interesi ynë i përbashkët mbetet konsolidimi i institucioneve që kanë përgjegjësi për të mbrojtur dhe promovuar interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim i klasave politike për të arritur objektivat tonë kombëtarë. Do të mbështes çdo veprim për të arritur marrëdhënie të shëndosha midis institucioneve kushtetuese. Të vijojmë në rrugën e reformës në drejtësi, jo thjesht se është kusht thelbësor për anëtarësimin në BE por edhe se ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur garanton luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.