Maqedoni

Mickoski nis “luftën” me opozitën shqiptare

Nisma për referendum e çon kreun e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski drejt “luftës” me opozitën. Mickoski, tha se pas mbështetjes së propozimit francez në Kuvend, ka dilema nëse partitë opozitare shqiptare janë vërtetë në opozitë. Ai madje u bëri thirrje që nëse duan të identifikohen si opozitë, të dalin me qëndrime që kritikojnë pushtetin.

“Unë nuk kam dëgjuar qëndrim të partive opozitare shqiptare, por pas mbështetjes së tyre ndaj asaj letre në Kuvend, kam dilema nëse në përgjithësi janë në opozitë, apo një variant rezervë për pushtetin. Unë tashmë kam dilema se ku përkasin ata. Për t’u identifikuar si parti opozitare, ata duhet të dalin në opinion me qëndrime me të cilat do ta kritikojnë pushtetin. Nëse i mbështesin qëndrimet e pushtetit, nuk e di se si mund ta shohin veten si opozitë”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Edhe përskaj faktit që në betejën për realizimin e referendumit VMRO-DPMNE ka mbetur e vetme, Mickoski shprehet i bindur se kundër mbajtjes së referendumit janë vetëm pushteti dhe instalimet e pushtetit që ndodhen tek opozita.

“Sa i përket debatit në opinion, ka një gjendje të çuditshme që më duhet ta konstatoj, e kjo është se kundërshtarët e këtij referendumi janë pushteti dhe ato instalime të pushtetit tek opozita. Kjo është një situatë e çuditshme që i bashkon instalimet e pushtetit që ndodhen në opozitë dhe mes popullit maqedonas dhe vetë pushtetin. Të gjithë të tjerët, një shumicë e madhe e qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike janë pro referendumit. Vetëm instalimet e pushtetit tek opozita dhe pushteti janë kundër referendumit”, shtoi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski tha se po vijojnë konsultimet me ekspertët dhe opinionin lidhur me modalitetin e referendumit, kohën e realizimit, mënyrën e dorëzimit të nismës dhe pyetjes me të cilën do t’u drejtohen qytetarëve. Kreu i VMRO-së përsëriti se deputetët e partisë së tij do të mbrojnë identitetin maqedonas./Alsat.mk