Shqipëri

‘Nuk donim të dëmtonim shqiptarët, por Qeverinë e korruptuar”! Mesazhi që lanë hacker-at në e-albania

Gjatë sulmit kibernetik masiv që zgjati rreth 7 ditë, hacker-at kanë lënë edhe një mesazh në platformën online e-albania, drejtuar shqiptarëve.

Ata shkruajnë se nuk donin të cenonin interesat e popullit, por Shqipëria ka qeveri dhe politikanë të korruptuar, prandaj edhe ndërmorën sulmin, duke paralizuar funksionimin e shtetit.

“Ne, grupi Homeland Justice, nuk donim dhe nuk duam të dëmtojmë interesat e popullit shqiptar. Por kur bëhet fjalë për qeverinë dhe politikanët e korruptuar të Shqipërisë, kjo është një histori tjetër”, thuhet në mesazhin e lënë prej tyre në e-albania.

Hacker-at kanë lënë edhe mesazhe të tjera në faqet e sulmuara prej tyre, kryesisht kundër muxhahedinëve iranianë në Manzë të Durrësit.

Kërcënimet përmes sulmeve kibernetike dhe alarmit të ngritur nga qeveria amerikane se po rrezikohej Samiti Botëror ‘Irani i Lirë’, i planifikuar për në datat 23-24 korrik 2022, bënë që liderët e opozitës iraniane të marrin vendimin për ta shtyrë atë për një moment tjetër.

Pas sulmit 1 javor, faqet e institucioneve shqiptare janë rikthyer dhe e-albania ka rikthyer gjithashtu disa prej shërbimeve, por të dhënat e këtyre portaleve tashmë janë në duart e ‘armiqve’ që fshihen pas kompjuterave.

Përgjatë dy ditëve të fundit, ata kanë publikuar në faqen e internetit homelandjustice.ru shkresa, dokumente, informacione dhe emaile mes institucioneve.

Ata dinë gjithçka për shtetin shqiptar.

Por ata kanë në dorë edhe të dhëna sensitive të qytetarëve shqiptarë dhe bizneseve, edhe pse, siç kanë përcjellë në mesazhin e lënë në e-albania, objektivi i tyre nuk ishin qytetarët e thjeshtë të vendit, por qeveria dhe politikanët e korruptuar.

Menjëherë pas publikimit të këtyre të dhënave, AKSHI i kërkoi me urgjencë AKEP-it, mbylljen e aksesimit të këtij portali nga brenda territorit shqiptar.