Maqedoni

Koalicioni AAA-ASH: Paaftësia e Qeverisë për të siguruar vaksina po e sjell Beogradin me dy këmbë në Shkup

Koalicioni Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët vlerson se paaftësia e qeverisë për të siguruar vaksina po e sjell Beogradin me dy këmbë në Shkup. Partitë theksojnë se opinioni në Maqedoninë e Veriut për çdo ditë është dëshmitar i vazhdimit pa fund të paaftësisë së Qeverisë për të siguruar vaksina për qytetarët. Orhan Murtezani thekson se rritja enorme e infektimeve të reja dhe rekordet e vazhdueshme të numrit të vdekjeve për të satën herë po dëshmojnë se kjo qeveri për çdo ditë të jetës së saj po shkakton pasoja fatale për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Orhan Murtezani

“Dhe, e gjendur në këtë situatë, kjo qeveri po tenton ta mbulojë paaftësinë duke sjellë vaksina, kryesisht ruse, nga Serbia fqinje. Për të qenë edhe më tragjike, kjo paaftësi po paguhet me privilegje ndaj qytetarëve serbë, fillimisht duke u mundësuar shfrytëzim falas të rrugëve të RMV-së, pastaj edhe parking falas, si dhe bileta falas për vizita të ndryshme në vendin tonë.

Kjo është arsyeja që ta ngremë zërin e të themi se sigurimi i vaksinave në këtë mënyrë nuk duhet të prodhojë privilegje për qytetarët serbë, që ashtu të justifikohet një pushtet i paaftë. Aq më tepër që Serbia historikisht është dëshmuar që nuk ka pasur qëllime të mira ndaj shteteve fqinje, e sidomos ndaj shqiptarëve, duke iniciuar pa fund herë tensione ndëretnike në Ballkan”.

Në këtë drejtim, edhe pse Qeverisë LSDM-BDI duket se nuk i pengon, por çdo ndërhyrje e Serbisë nga shqiptarët shihet me dyshim dhe shqetësim të madh.

Koalicioni AlternAtivA dhe Aleanca për Shqiptarët konstaton se Qeveria nuk e lanë dot turpin e saj me privilegje për serbët. Murtezani theksoi se zyrtarët përgjegjës është më mirë të japin dorëheqje sa nuk janë rritur edhe më shumë pasojat për jetën e qytetarëve. /SHENJA/