Maqedoni

Gashi: Falënderojmë SHBA-të dhe ambasadoren Byrnes për përkrahjen në debllokimin e procesit integrues

Letra publike e Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Kate Marie Byrnes, e publikuar më 8 korrik, në të cilën ajo shpreh mbështetjen e saj dhe të SHBA-së për procesin integrues të Maqedonisë së Veriut dhe të propozimit të ri për tejkalimin e bllokadës në këtë rrugë, është inkurajimi më serioz dhe më domethënës që nga vjen nga aleati strategjik i vendit tonë, vlerëson kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Duke e falënderuar Ambasadoren Byrnes dhe SHBA-në për gjithçka që kanë bërë për integrimin euro-atlantik të vendit tonë, Gashi edhe një herë rithekson se për RMV-në gjithçka mund të ketë alternativë, pos integrimit europian.

“Duke pasur empati për bashkëqytetarët tanë maqedonas, në konsiderojmë se propozimi i ri është një mundësi e re, që nuk e rrezikon as gjuhën e as identitetin e kombit maqedonas, ndërsa shtetit tonë të përbashkët i jep mundësi dhe perspektivë të re me përmasa historike për shtetndërtimin, por edhe për konsolidimin e tij në kuptimin demokratik dhe, veçmas, në planin zhvillimor”, thekson kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.