Publikohet dosja e veprimtarit nga Gostivari, që punoi edhe në Kumanovë (Dokument)
Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al.