Maqedoni

Komuniteti turk kërkon të përsëritet regjistrimi. “Numrat janë joreal, nuk pranojmë rezultate nën 7%”

Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut nuk i pranon rezultatet e regjistrimit të popullsisë. Trupi nacional koordinues për regjistrimin e popullsisë turke ka dorëzuar ankesë deri te Enti i Statistikave. Thonë se regjistrimi është realizuar në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore.

“Siç potencuam më 30 mars 2022, ne si popullatë turke, numrat e publikuar dhe përqindjet për turqit në regjistrim i vlerësojmë si të pavërteta dhe e informojmë opinionin se nuk i pranojmë rezultatet. Kërkojmë nga Enti shtetëror i statistikave që të anuloj rezultatet e regjistrimit dhe të njëjtin ta shpall si të pavlefshëm”, tha Hysrev Emin – Kryetar i Lidhjes së OJQ turke.

Të pyetur se cilat janë përllogaritjet e tyre për numrin e turqve që jetojnë në Maqedoni, nuk u përgjigjën konkretisht, por përfaqësuesit e këtij komuniteti thonë se nuk pranojnë rezultate se janë nën 7%. Ish deputeti Erdogan Saraç procesin e quan operacion politik dhe kërkon që të përsëritet nga fillimi.

“Është e papranueshme me këtë ligj të kemi regjistrim objektiv, prisnim që regjistrimi i popullsisë do të ishte proces statistikor, por doli për fat të keq që është proces politik, me atribute kryesore nga ana e qeveritarëve, kështu që edhe deklaratat e përfaqësuesve qeveritar shkonin në atë drejtim. Prej përpara dihej pasqyra e shpërndarjes demografike të popullsisë në Maqedoni”, tha Erdoğan Saraç – Lëvizja për Unitet Kombëtar.