Ministri Bekim Sali po punon për debllokimin e ndërtimit të Qendrës së re Klinike në Shkup
Qendra e re Klinike në Gjorçe Petrov, grup punues mes katër partive politike
Qeveria nuk heq dorë për realizimin e Qendrës së re Klinike Universitare, pavarësisht bllokadës gati dy vjeçare politike, duke formuar tash më një grup të ri pune i përbërë nga dy anëtarë për çdo parti politike. Siç mësoi jo zyrtarisht Alsat, grupi është angazhuar të shqyrtojë zhvendosjen e mundshme si lokacion të Qendrës Klinike në rajonin e Gjorçe Petrovit. Por, Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali tha se me angazhimin e VMRO-së opozitare në këtë grup, shpresojnë të mos ketë më bllokada në Kuvend.
“Grupi i punës që tashmë duhet të jetë funksional dhe së shpejti do të ripromovohet do të duhet të përcaktojë çka i duhet shëndetësisë sonë në nivelin primar, sekondar dhe terciar në këtë rast do përcaktohet cili do jetë projekti shpëtimtar i sistemit shëndetësor”, deklaroi Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.
Qendra Klinike aktuale “Nënë Tereza” shtrihet në 20 hektarë. Ndërsa e reja pritet të ketë hapësira 4 herë më shumë, ku përvec klinikave parashikohet të përfshihet edhe Fakulteti për Shkenca Mjekësore dhe kamp për studentët e mjekësisë. Parashikimet janë që i gjithë projekti të kushtojë nga 400 milion deri në gjysmë miliardi euro, pasi përveç tokës së shtetit, pritet të ketë shpronësime të tokave private. Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali tha se tri lokacione janë në dispozicion, por më i pranueshmi deri më tani është ai në Gjorçe Petrov.
“Edhe pse nuk është përfolur shumë për arsye se kemi qenë në fazë të bisedimeve koordinuese me gjithë faktorët e mundshëm që do të kyçen në këtë proces, ka lëvizje shumë pozitive. Qendra Klinike është projekt që është përfolur gati 17 vjet dhe për fat të keq ende nuk ka arritur në fazën e fillimit të realizimit në terren, në një vend të caktuar”, tha Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.
12 vjet më parë Banka Evropiane e Investimeve pati iniciuar realizimin e studimit të fizibilitetit për këtë Qendër, e cila u prezantua 8 vjet më vonë nga Asociacioni i Arkitektëve të Maqedonisë. Ajo parashihej të ndërtohej afër Spitalit Psikiatrik “Bardovci” dhe lagjes Zllokuqani në periferi të Shkupit, në një sipërfaqe prej 94 hektarësh./Alsat.mk