Maqedoni

VMRO-DPMNE: Oferta për takim liderësh mbetet e hapur deri më 10 maj

MICKOSKI NDËRKOMBËTAREVE – ALARMI I KUQ QËMOTI ËSHTË NDEZUR

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se VMRO-DPMNE-ja do të ndërmarrë hapa serioz nëse refuzohet takimi, sic e quan ai, për dalje nga katastrofa kombëtare. Oferta, sipas Mickoskit, mbetet e hapur deri më 10 Maj.

Mickoski, u ka dërguar një mesazh edhe miqve ndërkombëtar me porosinë se “alarmi i kuq qëmoti është i ndezur”

Se oferta për takim liderësh ku do të dakordohej data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vazhdon të mbetet e hapur, ka përsëritur edhe nënkryetari i kësaj partie, Aleksandar Nikollovski, i cili tha se përfaqësuesit e partisë së tij janë të gatshëm të flasin me cilin do që i sjell vendimet në LSDM.

ALEKSANDAR NIKOLOVSKI – NËNKRYETAR I VMRO-DPMNE-së

“Ne dhamë dhjetëra ditë që të mendohet dhe ja po e përsëris prej këtu, nëse Dimitar Kovaçevski nuk është ai i që sjell vendimet në LSDM ne jemi të gatshëm të ulemi e të flasim me cilin do që sjell vendimet. Nëse ai është Zoran Zaevi apo Radmilla Shekerinska, apo ndonjë i tretë, për ne është në rregull. Nevojitet që Maqedonia të del nga kriza politike dhe ekonomike dhe gjithësesi duhet të përcaktohet një datë e shpejtë për zgjedhje të parakohëshme parlamentare.”

Dy ditë më parë kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski kërkoi takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski ku do të flitej për datë për zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Socialdemokratët e hodhën poshtë këtë opcion, ndërsa Kovaçevski tha se nuk do të pranojë shantazhe dhe kërcënime.

Partneri i koalicionit Qeverisës BDI, mbështet zgjedhje të parakohshme parlamentare, por jo këtë vit, por në prill të vitit 2024, me qëllim që ato të mbahen së bashku me zgjedhjet e rregullta presidenciale. Pra, duke pasur parasysh që zgjedhjet e fundit u mbajtën më 15 korrik të vitit 2020, kjo do të nënkuptonte se BDI praktikisht mbështet zgjedhje të parakohshme vetëm disa muaj nga afati i rregullt. /KlanMacedonia/