Maqedoni

Fëmijët u kthyen sot në shkollë pas tre javësh grevë

Të gjithë fëmijët janë kthyer sot në shkolla pas tre javësh të humbur mësim.

Kreu i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Jakim Nedellkov në konferencën e djeshme njoftoi se greva në arsim do të pezullohet. Nedellkov tha se këtë veprim e kanë ndërmarrë pas konsultimit me juristë dhe se një vendim i tillë duhet të ndërmerret sepse kështu e parasheh ligji.

Vendimi i Sindikatës së Arsimit për të pezulluar grevën nëpër shkolla ka shkaktuar polemika në mesin e disa grevistëve të cilët dje në shenjë revolte u mblodhën para selisë së SASHK-ut për të shprehur pakënaqësinë me vendimin e marrë.

SASHK shpreson se do të rriten pagat, nuk do të zvogëlohen mëditjet gjatë grevës dhe do të nënshkruhen marrëveshjet kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm si dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe do të përcaktohen afate.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës përshëndeti vendimin e SASHK-ut, i cili siç vlerësoi, është në interes të nxënësve dhe vazhdimësisë së procesit arsimor.