Maqedoni

Afera me nëpunësit shtetëror që u paralajmërua në mënyrë bombastike nga Bujar Osmani, ende nuk ka epilog

Afera me nëpunësit shtetëror që u paralajmërua në mënyrë bombastike nga Bujar Osmani, ende nuk ka epilog
Tashmë kaloi java e tretë dhe ende nuk dihet se cilët nëpunës shtetëror nga vendi janë lajmëruar në Sofje dhe kanë sabotuar gjetjen e zgjidhjes në dialogun me Shkupin. Madje, nuk dihet nëse këto pretendime të ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, do të vërtetohen.

Edhe pse ministri i Jashtëm la përshtypjen se ka informacione të besueshme, deri më tani nuk ka asnjë rezultat nga hetimi i paralajmëruar.

Prokuroria për Alsat konfirmoi se nuk po punohet në ndonjë rast të tillë.

“Prokuroria deri më tani nuk është informuar për rastin për të cilin interesoheni. Institucionet që kanë konstatuar ekzistencën e elementeve për vepër penale, të dorëzojnë provat përkatëse në Prokurori e cila në përputhje me kompetencat e saj do të ndjekë më tej autorët e veprës penale”, tha Prokuroria Publike.

Më herët, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se informatat e marra nga MPJ-ja i janë dorëzuar shërbimeve të sigurisë, por nuk do të zbulojë më shumë detaje sepse janë informacione të klasifikuara.

Megjithatë, nuk dihet se cili shërbim po udhëheq hetimin. Nga MPB u përgjigjën se nuk do të komentonin për hetimet në vazhdim, por të pyetur nëse kjo Ministri bashkëpunon në një hetim të tillë, ata iu referuan deklaratës së kryeministrit, duke theksuar se procedura është e klasifikuar.

Heshtje edhe nga Ministria e drejtuar nga Osmani. Nuk ka përgjigje për pyetjet nëse ka ndonjë rezultat në hetim dhe as cilit shërbim sigurie ia ka kaluar informacionin ministri i Jashtëm.

Këtë rast Osmani e kishte bërë të ditur në fillim të këtij muaji.

“Sa më shumë të rriten mundësitë për të gjetur një zgjidhje për të përshpejtuar rrugën evropiane, aq më të mërzitur do jenë njerëzit që kanë punuar gjatë gjithë kësaj kohe që kjo perspektivë të mos ndodhë. Ja, do marr një shembull konkret, këtë javë njerëz nga Maqedonia e Veriut thirrën Republikën e Bullgarisë, duke thënë se i gjithë ky angazhim është i panevojshëm”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Megjithatë, dy javë më vonë Osmani pranoi se nuk kishte informacione shtesë dhe as janë identifikuar personat për të cilët fliste.

“Ne kemi njoftuar Qeverinë, nuk i kemi informacionet e plota, sepse jemi të informuar nga jashtë për këtë moment. Kur të plotësohet e gjithë tabloja, kush, si, nga ku, atëherë mund të bëhet një hap më formal”, theksoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

“Ende nuk e dimë saktësisht se kush janë me emër dhe mbiemër, atë informacion e kemi marrë nga Republika e Bullgarisë, se dikush ka telefonuar nga këtu. Pa na thënë kush janë, çfarë janë dhe prandaj është e rëndësishme që ne fillimisht t’i identifikojmë dhe më pas nëse i identifikojmë, sepse nuk mund ta marrim dikë në qafë pa e ditur sigurt se është ai dhe se ka thënë atë që ka thënë”, pohoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani shprehu besimin se këta persona do të përpiqen ta mbajnë të hapur çështjen me Bullgarinë, duke penguar procesin e integrimit evropian të vendit./ Alsat.mk