Freedom House: Maqedonia e Veriut sërish llogaritet si regjim hibrid!
Maqedonia e Veriut është ranguar si regjim hibrid në raportin më të ri të “Kombe në tranzicion” të “Freedom House”, e cila e analizon progresin demokratik në 29 shtete në tranzicion.
“Sivjet, për herë të parë në shekullin 21, forma e menaxhimit që sundon në rajonin e kombeve në tranzicion është regjimi hibrid. Katër demokraci u kthyen në këtë zonë pasi periudha e pandërprerë e rënies demokratike filloi në vitin 2004: Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Në të njejtën periudhë tre regjime autoritare bënë hapa demokratike dhe iu bashkangjitën radhës të regjimit hibrid: Moldavia, Kosova dhe tani Armenia”, thuhet në raport.
Sipas tyre, këto regjime mund të jenë demokratë në kuptim minimal, gjegjësisht kanë zgjedhje të rregullta dhe konkurente, por institucionet e tyre jofunksionale, “nuk janë në gjendje të zbatojnë komponenta definitive të demokracisë liberale: kontroll dhe balans, sundim të së drejtës dhe mbrojtje të fuqishme të të drejtave dhe lirive të njeriut”.
Në shkallën nga një deri në shtat, ku një është niveli më i ulët i progresit demokratik, ndërsa shtata më e larta, Maqedonia e Veriut është ranguar me notë 3,5 për qeverisje demokratike, 4,25 për proces zgjedhor, 5,25 për shoqëri, 3,25 për media të pavarura, 3,25 për gjyqësi të pavarur, derisa 3 për korrupsion. Vlerësimi i përgjithshëm për progres demokratik shënon 3,82 ose 47%.
Freedom House thotë se kriza siguron mundësi të bëhet revizion të procesit të inkuadrimit në BE, dhe se “Blloku duhet përfundimisht të fillojë negociatat inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe shqipërinë, duke i bërë presion Bullgarisë të heqë dorë nga ankesat”.
“Definitivisht, asnjë regjim hibrid në rajon nuk arriti të sfidojë gravitacionin në zonën gri nga viti 2002. Në këtë periudhë, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë flirtuar me demokracinë liberale, derisa Armenia dhe Moldavia kanë mbajtur episode autoritare, por të gjithë u kthyen në regjim hibrid deri në vitin 2021”, vlerësohet në raport.
Në të përmendet edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski për të cilin thuhet se ka anashkaluar normat liberale me blerjen e votave, përgjim të kundërshtarëve dhe duke rezistuar kundër çfarëdo mekanizmi të transparencës apo përgjegjësisë.
Sulmi në Kuvend në vitin 2017 i organizuar nga VMRO-DPMNE, përmendet si parangjarje për sulmin e Kongresit të SHBA-ve më 6 janar në vitin 2021.
Momentalisht, gjithsej 11 shtete kategorizohen si regjime hibride në “Kombet në tranzicion”.