Lajmet e reja

Përqindja e ridefinimit

Zeqirija Ibrahimi

Nëse maqedonasit, duke u thirrur në përqindje, ua imponojnë shqiptarëve statusin e minoritetit ose bashkësisë etnike, që me këtë regjistrim janë nën 4%, shtrohet pyetja se pse shqiptarët duhet të pranojnë të trajtohen si minoritet kur dallimi mes tyre dhe minoriteteve është shumëfish më i lartë se dallimi mes maqedonasve dhe shqiptarëve?

Shkruan: Zeqirija Ibrahimi

Në Maqedoninë e Veriut sapo janë publikuar rezultatet e regjistrimit (në Shqipëri e quajnë census) të popullsisë dhe amvisërive, një proces që në terren është zhvilluar gjatë vitit 2021. Përkundër lajmit të mirë se më në fund Maqedonia e Veriut e realizoi regjistrimin e popullsisë (nga viti 2002 nuk kishte arritur të organizojë, madje më 2011, pasi e kishte filluar, e kishte ndërprerë), rezultatet janë përsëri në stilin e proverbit maqedonas “edhe ujku i ngopur, edhe dhentë të paprekura”. Sipas këtij regjistrimi, si popullatë rezidente del se maqedonasit janë 58.44 %, shqiptarët – 24.30 %, turqit – 3.86 %, romët – 2.53 % e kështu me radhë, ndërsa si popullatë e përgjithshme (pra edhe jorezidente) përqindjet duken pak më ndryshe: maqedonasit – 54.21 %, shqiptarët – 29.52 %, turqit – 3.98 %, romët – 2.34 % etj. (Sa për krahasim, më 2002 përqindjet dukeshin kështu: maqedonas – 64.17 %, shqiptarë – 25.17 %, turq – 3.85 %, romë – 2.66 % e kështu me radhë.)

Pavarësisht kontestimeve të partive opozitare shqiptare, që sigurisht zënë vend dhe meritojnë kujdes, kur i kundrojmë këto rezultate edhe si të mirëqena, i bie të konkludojmë se:

kemi rënie të popullsisë edhe te maqedonasit edhe te shqiptarët; te shqiptarët kemi shpërngulje në përmasa eksodi, që vijon prej politikave të shpërnguljes së heshtur që i kanë aplikuar qeveritë nga viti 2002 e këndej (shqiptarët mburren se kanë shkallë pozitive të natalitetit deri në 20 mijë banorë në vit, ndërsa vazhdojnë të vendnumërojnë);
me gjithë rënien, maqedonasit vazhdojnë ta ruajnë primatin e kombit, që ata e quajnë shumicë absolute, dhe kështu shtetin ta trajtojnë si monoetnik maqedonas me “disa minoritete”;
shqiptarët vazhdojnë të ruajnë primatin “e parrezikuar” të “bashkësisë etnike mbi 20%” (madje, disa shqiptarë mburren që janë ministra të “bashkësive etnike”), ashtu që Marrëveshja e Ohrit dhe kushtetuta e dalë prej saj mbeten në fuqi;
ndonëse turqit, boshnjakët dhe romët nuk i pranojnë këto numra, shteti as që dëshiron të dëgjojë për reagimet e tyre;
me këto numra ruhet stabiliteti dhe status quo-ja e shtetit.

Ndonëse përqindjet janë një mënyrë e diskriminimit pozitiv, si shtet që me Marrëveshjen e Ohrit është ndërtuar mbi përqindjet e popullsisë, Maqedonia e Veriut – edhe pas këtij regjistrimi – duhet të mendojë rishtazi se insistimi në këtë model të shtetndërtimit mund të prodhojë kriza dhe mundësi destabilizimi. Insistimi për shtet monoetnik, që shfaqet që nga preambula, simbolet e shtetit, politikat gjuhësore, shpërndarja e financave publike, armata, policia, gjyqësori, e deri te modeli zgjedhor e siguria, është një imponim i dhunshëm për krijimin e një realiteti fiktiv përkundër realitetit faktik. Ky model mund të shtyhet edhe një kohë, por trajtimi i shqiptarëve si minoritet (si bashkësi etnike) gjithsesi se do të krijojë pakënaqësi. Nëse ky shtet bazohet në përqindje, ndërsa tashmë dihet se kjo është kështu, atëherë matematika e nxjerrë se dallimi i përqindjes së maqedonasve ndaj shqiptarëve nuk është as dy herë më i lartë, ndërsa dallimi i shqiptarëve nga minoritetet e tjera është gjashtë-shtatë herë më i lartë.

Prandaj, nëse maqedonasit, duke u thirrur në përqindje, ua imponojnë shqiptarëve statusin e minoritetit ose bashkësisë etnike, që me këtë regjistrim janë nën 4% (po e përsëris, të kontestuar prej tyre), shtrohet pyetja se pse shqiptarët duhet të pranojnë të trajtohen si minoritet kur dallimi mes tyre dhe minoriteteve është shumëfish më i lartë se dallimi mes maqedonasve dhe shqiptarëve? Sigurisht që pyetja është edhe e logjikshme, edhe e drejtë, edhe legjitime, ndërsa përgjigjen le ta mendojnë ata që duan ta shohin Maqedoninë e Veriut në këso modeli të shtetndërtimit. Nëse shqiptarët janë 1/4 e shtetit ose edhe 1/3 si popullatë jorezidente, që nuk nënkupton vetëm prani fizike, por edhe financiare, trajtimi i tyre si minoritet le që është diskriminim, por kjo akumulon pakënaqësi, reagimin e së cilës në të ardhmen nuk mund ta parashikojmë.

Që të mos u mbetemi borxh lexuesve, po e përsërisim atë që e kemi thënë shpesh se që Maqedonia e Veriut të bëhet shtet normal, duhet të jetë simetrik në raport me shoqërinë. Nëse në këtë shtet jeton një shumicë e madhe, pra maqedonasit, që janë më shumë se gjysma e shtetit, dhe aty jeton një komb tjetër, pra shqiptarët, që janë 1/4 ose 1/3 e shtetit, si dhe një grup minoritetesh, i tillë duhet të jetë edhe modeli i ndërtimit të shtetit. Pra, shteti duhet të definohet si shtet i kombit të parë shumicë (maqedonasit), i kombit të dytë shumicë (shqiptarët) dhe i minoriteteve (turq, romë, vllahë, serbë, boshnjakë etj.). Kjo i bie që në preambulën e kushtetutës duhet të ketë formulim të ndarë për shqiptarët si kombi i dytë shumicë, kjo i bie që simbolet e shtetit duhet ta përfaqësojnë edhe shumicën e dytë, kjo i bie që modeli zgjedhor duhet ta reflektojë përqindjen e shqiptarëve edhe në numrin e deputetëve, kjo i bie se politika gjuhësore duhet ta njohë gjuhën e parë zyrtare (maqedonishten) dhe gjuhën e dytë zyrtare (shqipen), kjo i bie se edhe armata, edhe policia, edhe administrata, edhe gjyqësori duhet ta reflektojnë këtë, por edhe buxheti i shtetit duhet të shpërndahet me këto parametra. (Aktualisht, raporti mes shqiptarëve dhe maqedonasve në përfaqësim është mesatarisht diku 75% ndaj 20 %, që nuk është refleksion i përqindjeve të regjistrimit.)

Në të vërtetë, përveç këtij modeli që ngjan në shtet binacional, mundësi tjetër e ridefinimit është edhe një shtet njëmend qytetar, ku nuk ka komb shumicë, por ku sovraniteti i takon qytetarit, ku preambula është qytetare pa përkufizime etnike, ku simbolet e shtetit janë neutrale, ku politika shtetërore nuk avancon e as nuk diskriminon (as pozitivisht) asnjë qytetar në baza etnike, ndërsa politikat gjuhësore ndërtohen sipas nevojave reale të etnive në shtet.

Cilido model që të zgjidhet, është më i mirë se ky që është aktualisht. Jam i bindur se ashtu Maqedonia e Veriut përfiton shumë, duke ndërtuar stabilitet afatgjatë, kohezion shoqëror dhe herrje të të gjitha mundësive për pakënaqësi që mund të rezultojnë me mosmarrëveshje ndëretnike. Duke jetuar në një botë ku dita e sotme nuk i ngjan të nesërmes, ridefinimi i Maqedonisë së Veriut sot mbi këto kritere nuk është në dëmin e askujt brenda, ndërsa i bën mirë shëndetit shtetëror afatgjatë.

Në të kundërtën, mbyllja e syve para këtij realiteti dhe shtirja se gjithçka është në rregull, nënkupton se pakënaqësia vazhdon dhe nuk i dihet se kur shpërthen, kush e nxit, si reflektohet dhe cilat janë pasojat.