Kovaçevski është në gjendje të mirë shëndetësore dhe prej nesër kthehet në punë
Dushko Arsovski, zëdhënësi i Qeverisë informoi se pas lëshimit nga klinika infektive, kryeministri Dimitar Kovaçevski është në gjendje të mirë shëndetësore dhe prej nesër kthehet në punë.
“Kryeministri Kovaçevski me dhimbje në stomak, me shumë gjasa nga helmimi me ushqim, u pranua në klinikën infektive në Shkup, ku iu afrua mjekim i plotë dhe për shkak që gjendja iu përmirësua, flasim për të dielën kah e hëna, është mbajtur për shkak observimit, ndërsa të nesërmen është lëshuar në gjendje plotësisht të mirë”, theksoi Arsovski.
Ai theksoi se të gjitha ngjarjet ku do të marrin pjesë funksionar të lartë, edhe në Forumin Ekonomik në Dellfi, janë marrë hapa dhe aktivitete për shqyrtim të sigurisë së ushqimit dhe pijeve që konsumohen.
“Kryeministri as nuk ka ngrënë, as nuk ka lëvizur jashtë protokolleve për këtë periudhë”, tha Arsovski dhe tregoi se të gjitha rrethanat për këtë rast po shqyrtohen dhe në ditët në vijim do të ketë më shumë hollësi.
Zëdhënësi i Qeverisë tregoi se në lidhje me Forumin Ekonomik në Dellfi nuk ka informacione nëse ka edhe raste të tjera të helmimit. Ai tha se për momentin ka informacione se shefi i kabinetit të kryeministrit ka pasur simptome më të lehta dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Në lidhje me ushqimin dhe pijet që konsumohen nga personalitete nën mbrojtje, paraprakisht sipas ligjit ndërmerren masat dhe aktivitetet për shqyrtimin e rregullsisë së tyre në lidhje me sigurinë dhe kufizimet eventuale në drejtim të ushqimit që do të kishte personi konkret. Këto masa ndërmerren vazhdimisht dhe për çdo ditë, edhe pse në situata të caktuara nuk mund paraprakisht të parashihen situata të tilla. Nuk përjashtohet mundësia që të konsumohet ushqim apo pije që nuk është nënshtruar kontrrolit të duhur në përputhje me procedurat praktike të veprimit”, tha Arsovksi.