Diaspora

SHBA/Restorantet dhe shitoret me ushqime mesdhetare të shqiptarëve po “lulëzojnë” në New York, e rrethinë

Beqir Sina - New York
NGA BEQIR SINA – NEW YORK

Një restorant i stilit hallall dhe mesdhetar “Si n’Shpi“ dhe afër tij dyqani ushqimor (grocery) “Illyria”, i konvertuar për skaj rrugës 65 Street në lagjen e njohur Bensonhurst, Brooklyn, është bërë pikë referimi i suksesit të shqiptarëve në Brooklyn New York, me pronar nga Kosova.

Fidan Krasniqi, i ardhur rishtaz 5 vjet më parë nga Kosova, ku prej çlirimit të saj tha ai se babai i tij kishte hapur një restorant të njëjtë në meny, në mes të Prishtinës, erdhi dhe nisi rrugën e sfidave në Amerikë, të “gjejë ëndrrën amerikane”, me biznesin e tij në Bruklin – Nju Jork.

“Tashmë, “Restoranti “Si n’Shpi“ dhe shitorja “Illyria” për pesë vjet duket se janë bërë vendi më i preferuar i shqiptarëve dhe mesdhetareve në përgjithësi në një nga lagjet më të njohura të emigrantëve, i cili po e sjell traditën origjinale shqiptare(bio si quhen këtu) në mes të qyteti të Brooklynit në New York”, thanë dy klientë shqiptar të cilët thanë se pothuajse çdo ditë ata shijojnë menynë tradicionale shqiptare.

Kurse, Fidan Krasniqi, pronari i restorantit “Si n’Shpi“ dhe afër tij dyqanit ushqimor (grocery) “Illyria”, thotë se ai ka sjell shumë artikuj ushqimor tradicionale direkte nga Kosova, dhe së bashku me disa biznesmen të tjerë nga Kosova, ata kanë sjellë një frymë të re të ushqimit mes bizneseve të shumta mesdhetare në disa nga qytetet kryesore në New York, e rrethinë, sidomos, ku më së shumti janë përqendruar edhe shqiptarët.

Ai na tregojë se menyja e ushqimeve të restorantit të tij, “Si n’Shpi” ( Adresa :2307 65th St•(201) 645-5934), është e larmishme e bazuar më shumë në një traditë të kuzhinës mesdhetare me gatim dhe shije kosovare, duke filluar nga shefi dhe të gjithë ata që shërbejnë me plot kulturë: Byrekët, Pitet, Flija, Qebapët, Peskavicat, Ngjym Me speca, Samun Me Suxhuk, Djathë Gjirokastra, Grilled Gjirokastra cheese with peppers, Speca të mbushur me ajkë, Speca T ‘pjekur, Tarator, Pjata Sofra, Nxhym me suxhuk, e deri tek mish i freskët nga fermat e famshme të Pensilvanisë, të pjekur në zgarë.

Mbasi thotë pronari i tyre siç dihet mishi i viçit është përbërësi kryesor në qoftet të restorantit, ato i bëjmë të përzier me qepë dhe piper të kuq dhe në qebapët i përdorim sipas dëshirës së klientëve, si salsiçe e butë gatuar në skarë. Po ashtu thotë ai ne bëjmë një furnizim të posaçëm nga fermat e viçave në Pensilvania.

Gjithashtu, në restorantin e tij, “Si n’Shpi” ashtu si gjellët e ndryshme, të kuzhinës tradicionale dardane, nuk i mungojnë as ëmbëlsirat si: Bakllava me sherbet, Sheqerpare, Bombica, Tullumba, Tespishte, Trileqe, (Mix Dessert Plate) të shërbyera këto edhe me ndonjë kafe oxhaku me xhezve e filxhan nga Kosova.

Ndërsa, shitorja e njohur “Illyria” e konvertuar në tabelën e saj me pronarin e ri (Fidan Krasniqi ), pra dyqani i artikujve ushqimor dhe artikujve me simbolet tona kombëtare, është i vjetër si biznes në Brooklyn.


Ai është ndër të parët dyqane shqiptare që tregton çdo gjë nga vendlindja: çifteli, veshje kombëtare, video dhe disqe e kaseta, libra, revista dhe kartolina shqiptare. Ky dyqan tip grocery amerikane, është nga më të preferuarit në Brooklyn për shërbimin e kulturuar dhe tregtimin e disa nga produktet e përditshme të tryezave shqiptare: mishin e freskët, mishin e thatë nga Kosova, miellin e grurit dhe të misrit, bulmetin (gjalpë, djathë e kos) trushit e specave, dhe ullinjtë nga Shqipëria e Kosova, vaj ulliri, fruta të thata, e reçel e preserve, çajë mali që të gjitha asortimentet e tregtuara janë vetëm nga vendlindja.

Por, me sa duket veçantia e këtyre dy bizneseve, është se pronari i saj po vazhdon të tërheqë vëmendjen e shqiptarëve dhe mesdhetareve në Brooklyn duke ndjekur rrugën e këtij biznesi nga disa Shqiptaro të suksesshëm, shumë më parë se ai në disa qytete të New Yorkut, si Bronxi, Staten Island, Queens, Brooklyn. Të cilët tashmë janë bërë të njohur edhe nëpërmjet televizioneve, dhe gazetave prestigjoze amerikane, të cilët dhe i kanë kushtuar ndonjë një storie të plotë të sukseseve të restoranteve shqiptare në New York, duke i vlerësuar ato dhe duke provuar ushqimet tradicionale shqiptare në gjithë zonën e Tri-Shteshit.

Shqiptarët që janë klientët e rregullt të cilët më tutje theksojnë se ata i kushtojnë shumë rëndësi ushqimeve tradicionale shqiptare (mesdhetare), por edhe çmimeve të shkëlqyera veçojnë ato në shitoren Illyria në Brooklyn ( Adresa 2323 65th Street – Brooklyn, NY 11204 : Telefoni :(347) 312-6326 (347) 755-7264) .

ImageRestoranti “Si n’Shpi“FOTO GALERI
Një vit më parë njeri prej tyre shkruaji në uebsitin e “Illyria Food’s”: “Dyqani ushqimor më i mirë ballkanik në Brooklyn. Aty mund të gjeni gjithçka që ju nevojitet, staf shumë i sjellshëm, shërbim perfekt dhe më e rëndësishmja pastërti dhe organizimi.”

Ndërsa një klient tjetër shkruan: “Rekomandoni shitoren është Ushqimi Tradicional Shqiptar Shkëlqyeshëm, Çmim i shkëlqyer vendi ku do të gjeni gjithçka që ju nevojitet!”

Për ushqim të shkëlqyeshëm, çmime të shkëlqyera dhe një kasap i shkëlqyeshëm, shkruan një tjetër duke veçuar “mish cilësor, viçi i tyre është kaq i butë dhe i freskët” sa ai vjen drejtpërsëdrejti nga fermat e viçave në Pensilvania “.

Ndërsa, Fidan Krasniqi, pronari i restorantit “Si n’Shpi“ dhe afër tij dyqanit ushqimor (grocery) “Illyria”, na tregon që synimi i restorantit është që të ruhet tradita, dhe nëpërmjet kësaj natyrisht të bëjë biznesin.

“Restoranti dhe shitorja jonë përfshinë vetëm ushqimet tradicionale, dhe artikuj të ndryshëm ushqimor nga Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare. Mbas çlirimit të Kosovës, në Prishtinë, babai hapi të njëjtin biznes me menu tradicionale, dhe me të ardhur 5 vjet më parë në New York, ne kemi vendosur që ta hapim këtë shitore dhe më pas restorantin për arsye se është shumë mirë të punojmë me shqiptarët dhe të sjellim edhe traditën tonë, edhe në Amerikë”, na tha pronari i tyre Fidan Krasniqi.

Në fund fjalë të mira na thanë edhe vizitorët e restorantit, të cilët edhe ishin të pranishëm gjatë këtij reportazhi, ndërsa u shprehen se e pëlqejnë shumë ushqimin tradicional shqiptar që ata e ofrojnë, duke treguar se ky ushqim është shumë i shijshëm ata veçuan edhe shërbimin e kulturuar të kamerierëve.