Mbledhje urgjente në BDI, “Korridori 8” afër dështimit, marrëveshja me “Bechtelin” nuk nënshkruhet sivjet?!
“Korridori 8” ishte bë refren i përditshëm i përfaqësuesve të BDI-së muajt e fundit, por ka gjasa të rezultojë si “fejk njus”, respektivisht premtim i rrejshëm sikur “Agjenda e Blertë”, thonë vetë burime të larta pranë kësaj partie për portalin e afërt me Qeverinë, lideri.mk.
Këto burime thonë se për shkak të gabimeve të disa funksionarëve të BDI-së, marrëveshja me kompaninë “Bechtel-Emka” vështirë se do të nënshkruhet sivjet.
Kjo ka shkaktuar shqetësim të madh në kreun e BDI-së dhe është realizuar një takim urgjent mes përfaqësuesve të resoreve ekonomike, por gabimi vështirë se do të përmirësohet sivjet.
“Ju lutemi të shkruani mediumet sepse vetëm ashtu kemi shpresë se do të realizohet ky projekt jetik për shqiptarët. Nëse punimet nuk fillojnë sivjet, me siguri do të zvarriten pastaj si autostrada Shkup-Bllacë 20 vite të plota, ose nuk do të realizohet kurrë. Ne e kemi Agjencinë për Rrugë Shtetërore dhe si duket aty është bë gabimi që marrëveshja nuk mund të bëhet sivjet”, thonë burime të larta në këtë parti.
Problemi më i madh për BDI-në është se për zvarritjen eventuale të “Korridorit 8” nuk mundet të akuzohet opozita, siç ndodh shpeshherë sepse drejtori është i BDI-së, kurse deputetët e opozitës e votuan ligjin me të cilin marrëveshja për këtë korridor mund të arrihet me “Bechtelin” pa shpallur tender. Tanibpo shqyrtohen mundësit që nëse vjen deri te zvarritja, faji të lihet te kriza në Ukrainë.