Maqedoni

Krejt çmimet shtrenjtohen, ushqimet në restorantin e Qeverisë lirohen: Sallata 20 denarë, byfteku 180 denarë (Dokument)

Deri sa shtrenjtimet e produkteve nuk kanë të ndalur, ministrat dhe funksionarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të ushqehen me çmime të lira.
Në rrjetet sociale është publikuar çmiorja e restorantit të qeverisë, që tregon se ministrat për byftek paguajnë sa paguajnë qytetarët për një hamburger.
Sipas kësaj çmimore, byfteku në restorantin e Qeverisë kushton 180 denarë (3 euro), mishi i gatuar i viçit 120 denarë (2 euro), kurse steku i pulës 100 denarë (1.5 euro). Në restorantin e qeverisë si specialitet shërbehet edhe mish gici me presh 170 denarë (3 euro), kungulleshka të mbushura, si dhe domate të mbushura. Deri sa çmimi i kastravecave nëpër shitore shkoi në 200 denarë për një kilogram, ministrat në restorantin e qeverisë për një sallata me kastraveca (tranguj) paguajnë vetëm 20 denarë, kurse pak më shtrenjtë e paguajnë sallatën e domateve 35 denarë dhe sallatën e përzier, 40 denarë.

Çmimet e lira në restorantin e Qeverisë, kundrejt shtrenjtimeve me të cilët po përballen qytetarët, kanë shkaktuar pakënaqësi të shumta.
“Prandaj thonë ministrat nuk ka krizë…”, ka komentuar aktivisti Arianit Xhaferi në facebook.

Të gjitha çmimet në restorantin e qeverisë mund t’i shikoni në menynë më poshtë, që siç pretendohet në rrjetet sociale, është menyja me çmimet e fundit. Qytetarët kanë “nderin” vetëm të shikojnë këtë çmimore, pasi në restorantin qeveritar kanë të drejtë të ushqehen vetëm të “zgjedhurit dhe të emëruarit” dhe mysafirët e tyre./Almakos