Maqedoni

Sali: Jemi të gatshëm t’i mirëpresim refugjatët, kemi caktuar disa spitale si “zona të kuqe”

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali njoftoi se disa spitale në vend janë shënuar si pika ku mund të akomodohen refugjatët nga Ukraina në rast të fluksit, transmeton 360 Shkallë.

“Deri më tani nuk kemi fluks emigrantësh nga Ukraina dhe ata pak që janë, në numër të vogël. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë nevojë të veçantë për kujdes urgjent shëndetësor, përveç lindjes së një vajze në Spitalin Gjinekologjik në Çair. Është i vetmi shërbim që i kemi ofruar një emigranti deri më tani. Megjithatë, ne si Ministri jemi të organizuar dhe të gatshëm për të mirëpritur. Ne kemi caktuar disa spitale si ‘zona të kuqe’, dmth pika ku mund të hyjnë emigrantët potencialisht të sapoardhur dhe mendoj se jemi mjaft të gatshëm t’i mirëpresim ata”, tha Sali.

Rreth 2.7 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina deri më tani.

Kohët e fundit, Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFCR) shprehu shqetësimin se lufta në Ukrainë mund të çojë në një rritje të numrit të të infektuarve rishtazi me Covid-19, si në Ukrainë ashtu edhe në vendet fqinje. Maqedonia e Veriut nuk është fqinj, por megjithatë ministri Sali theksoi se janë gati për një skenar me një valë të mundshme refugjatësh.