Çiklistë nga Ballkani nisen nga Shkupi për në Çanakkala
Nën organizimin e Shoqatës Bjeshkatare Ekologjike “Shkupi”, 6 çiklistë nga vende të ndryshme të Ballkanit me biçikleta janë nisur nga Çarshia e Shkupit për në Çanakkala me rastin e 18 marsit, 107 vjetorit të Fitores së Çanakkalasë, raporton Anadolu Agency (AA).
Me qëllim që të përkujtojnë dëshmorët e rënë në Çanakkala, çiklistët nga vendet si Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Sanxhaku, u nisën pasi falën namazin e sabahut, duke marrë me vete në mënyrë simbolike edhe dheun e vendeve përkatëse.
Çiklistët do të udhëtojnë rreth 800 kilometra, ndërsa ndalesa e parë e tyre pas nisjes nga Shkupi është qyteti Qystendil në Bullgari.
Qamuran Hirda nga Shkupi, rikujtoi se në Çanakkala kanë luftuar dhe kanë rënë dëshmorë shumë persona nga vendet e Ballkanit, duke theksuar se ky udhëtim me biçikleta bëhet për të rikujtuar ata.
“Qëllimi jonë është që t’i rikujtojmë dëshmorët që kanë rënë në Çanakkala. Udhëtimi i jonë do të jetë 7-ditor, diku afërsisht deri në 800 kilometra, ku sot nisemi prej Shkupit dhe do të vazhdojmë, çdo ditë i kemi rreth 110-130 kilometra, deri më shtatë ditë do të arrijmë në Çanakkala”, tha Hirda.
Ismet Shkulji nga qyteti Zavidoviçi, Bosnje e Hercegovinë, u shpreh se “ne kemi marrë me vete dheun nga çdo shtet për t’u kushtuar respekt dhe vëmendje dëshmorëve”.
“Jemi këtu me shokë nga Shkupi, me të cilët do të vozisim së bashku për disa ditë”, tha Shkulji.
Ndërkohë Sami Emin nga Shkupi, i cili është një nga pjesëmarrësit e anijes Mavi Marmara, që kishte dërguar ndihma humanitare në Gaza, tha se për të mos harruar martirët e Çanakkalasë, kanë vendosur që të udhëtojnë me biçikleta nga Shkupi.
Ai tha se për herë të parë vendim të tillë kanë marrë pas tentativës për grusht shteti të organizatës terroriste FETO të 15 korrik 2016, duke uruar që kjo të mos përsëritet asnjëherë.
“Turqia ka kontribute të mëdha në Ballkan 20 vitet e fundit”, u shpreh ai duke shtuar se Turqia sërish po forcohet.
Për të përcjellë çiklistët kishte dalë kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili u uroi rrugë të mbarë duke theksuar se ky është një aktivitet shumë i mirë dhe se Komuna e Çairit do të del çdoherë në përkrahje të këtyre aktiviteteve të cilat do të lënë gjurmë në të ardhmen.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit kam dalë këtu që t’i përkrahi këta çiklistë të cilët është hera e dytë që e bëjnë këtë rrugëtim nga Çarshia e Vjetër deri tek qyteti i Çanakkalasë. Kuptohet, ka pasur një ndërprerje prej dy viteve për shkak të pandemisë, por jam i bindur që kjo do të jetë një traditë shumë e mirë”, tha Ganiu.
Rrugë të mbarë çiklistëve u uroi edhe kryetari i Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSITEB), Hysrev Emin. MATÜSITEB gjithashtu siguron mbështetje logjistike për çiklistët në rrugëtimin e tyre 7-ditor.