Asambleja e gruas së ASH-së: Thirje për paqe në ditën ndërkombëtare të gruas
Me një ekspozitë pikturash nga gratë dhe për gratë dhe me një mesazh paqeje për tërë globin, Asambleja e Gruas shënoi 8 Marsin.
“Në këtë ditë të shënuar kur gruaja kujton kthesën që ka bërë ajo duke fituar të drejtat, të cilat natyrshëm i përkasin dhe sakrificën që ka bërë në këtë rrugë, ne na shumëfishohen horizontet ku ajo shfaqet si një luftëtare e përhershme dhe pothuajse gjithmonë ngadhënjimtare në të gjitha fushat e jetës, e sidomos në dy pista paralele njëherësh: në detajet e vogla të përditshmërisë familjare dhe në vrullin e karrierës për ta dhënë më të mirën për shoqërinë e rrethin.
Asnjë burrë nuk është i përsosur pa gruan në krah, asnjë shoqëri s’ia del të përmirësohet vetëm me gjysmën e kapacitetit të vet. Asnjë botë s’është e plotë me gjysmën e qiellit mbi krye. E në shoqëri si të tonat, në shtete që gëlojnë nga padrejtësitë sistematike në të gjitha sferat, është tejet dinjëtoze të vihesh në krah të atyre që kërkojnë të drejta, apo ta kujtosh, siç po bëjmë sot, luftën e grave për të drejtat e tyre dhe për daljen nga formati i të qenit pala që hesht apo pala që bindet”, u shpreh kryetarja e Asamblesë së Gruas, znj. Vjollcë Berisha.
Të pranishmet i përshëndeti edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, z.Ziadin Sela, i cili bashkë me urimet për festën, shpalosi edhe gadishmërinë e tij dhe të partisë për të luftuar deri në fund për përfaqësimin e drejtë dhe proporcional, që nuk nënkupton vetëm përfaqësim të drejtë në pikëpamje përkatësie etnike, por edhe gjinore a të ndonjë pale tjetër të diskriminuar.