CNN: Pesë anëtarë të një familje humbën jetën në sulm të forcave ruse
Raportuesi i CNN ka biseduar me 54 vjeçarin Igor në zonën e përfshirë nga lufta. Ai ka rrëfyer se në sulmet ruse ka humbur pesë anëtarë të familjes. Sulmi i kobshëm ka ndodhur të premten, ku ai ka humbur gruan, vjehrrën, dy dhëndurët dhe vajzën 12 vjeçare e cila ka qenë në karrocë për invalidë.
Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se deri më tani ka konfirmuar vdekjen e 364 civilëve në Ukrainë, që prej nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.
OKB tha se edhe 759 civilë të tjerë janë plagosur. Të dhënat janë deri në mesnatën e të shtunës.
Kjo zyrë përdorë metodologji strikte dhe vetëm raporton për numrin e viktimave të konfirmuara.
Zyra për të Drejtat e Njeriut tha se shifrat reale vlerësohet se janë shumë më të larta, “veçanërisht në territorin e kontrolluar nga Qeveria dhe veçmas në ditët e fundit”. Kjo për shkak se informacionet nga këto zona po vonohen që të arrijnë për shkak të luftimeve të vazhdueshme.
Zyrtarët ukrainas kanë paraqitur një numër shumë më të lartë të civilëve të vrarë.