Brez pas brezi në luftë për shkollat shqipe
Është e vërtetë se për shkollat dhe arsimin shqip, sidomos në trevat shqiptare jashtë kufijve të shtetit amë, është derdhur shumë djersë, lotë e gjak dhe janë bërë përpjekje të mëdha, është zhvilluar luftë e vazhdueshme “brez pas brezi”. Edhe pse zyrtarisht si shkollë e parë shqipe konsiderohet ajo që u hap më 7 mars 1887 në Korcë, rrënjët e arsimit shqip i gjejmë , siç thuhet, edhe në “thellësitë e shekujve”.
Por, për shkak të pushtimeve të huaja, shkollat shqipe në të kaluarën asnjëherë nuk kanë qenë krejtësisht të lira, dhe legale. Sepse, puna e tyre legale nuk është lejuar gjatë sundimit pesëshekullor osman, e as gjatë tërë kohës së ekzistimit të Jugosllavisë së vjetër monarkiste. Përkundrazi, ato vazhdimisht kanë qenë të ndaluara rreptësisht, kurse arsimtarët shqiptarë gjithmonë të përndjekur dhe të persekutuar.
Shkollat dhe arsimi shqip në Kosovë dhe në Maqedoni, kanë marrë frymë më lirisht, vetëm për një kohë shumë të shkurtër, gjatë Revolucionit Xhon – Turk (1908- 1912), kur edhe u aprovua Alfabeti shqip në Manastir të Maqedonisë. Atëherë, patriotët dhe arsimdashësit shqiptarë si: Hasan Prishtina, Bajram Curri etj. filluan t’i dërgonin të rinjtë shqiptarë në Shkollën Normale të Elbasanit.
Shkollat shqipe të këtyre viseve u lejuan të punojnë edhe gjatë Luftës I Botërore (1915 – 1918), por vetëm në zonën okupuese austro-hungareze, e jo edhe në zonë okupuese bullgare. Mirëpo, të gjitha këto shkolla shqipe, më 1918, u mbyllën përsëri nga regjimi i Jugosllavisë së Vjetër.
Duket si paradoksale, por është fakt i vërtetë, gurthemeli i arsimit shqip në Kosovë e Maqedoni dhe fara e parë e shëndoshë e tij në këto vise, u hodh pikërisht gjatë Luftës II Botërore (1941- 1945).
Kështu, pra, në saje të vendosmërisë dhe largpamësisë së ish Ministrit të Arsimit të Shqipërisë, Prof.Ernest Koliqit, menjëherë pas kapitullimit të Jugosllavisë monarkiste në prill të vitit 1941, u formua Misioni i Jashtëzakonshëm Shkollor, për viset e çliruara shqiptare, me detyrë urgjente që t’i studjojë kushtet dhe mundësitë për hapjen e shkollave të para shqipe në territorin e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Sanxhakut etj.
Kryetari i këtij misioni për Maqedoni, në fillim ishte Emin Çomo, e prej fundit të gushtit 1941, Prof.Fadil Repishti. Hapjes së shkollave në këto vise i paraprinte aksioni për hapjen e kurseve tremujore për mësimin e gjuhës shqipe (shkrim-lexim) dhe për nevojat e administratës shqipe.
(Në tre vëllimet e monografisë “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951)”, në mbi 1600 faqe, kemi botuar rreth 3000 biografi të këtyre arsimtarëve të parë që shërbyen në viset e çliruara shqiptare jashtë kufijve të shtetit amë).
Sipas disa shënimeve të veteranit të arsimit Ahmet Pere, i cili në atë kohë ka shërbyer si mësues në Gostivar, në vitin 1941 në Maqedoni janë hapur 58 shkolla fillore dhe një gjimnaz në Tetovë, në të cilat atë vit e zhvilluan mësimin për herë të parë në gjuhën shqipe 160 mësues.
Në këto shkolla gjatë luftës u përfshinë gjithsejt 10,585 nxënës, prej të cilëve 3,356 vajza, që konsiderohet sukses i madh për atë kohë, kur dihet se femrat shqiptare që në moshë të re hynin nën çarshaf e peqe. Në të njëjtën kohë u hapën e punuan edhe 92 kurse kundër analfabetizmit me 6,370 vijues.
Mirëpo, shkollat shqipe në Maqedoni në vitin 1941, punuan vetëm në zonën okupuese italiane që përfshinte qytetet: Tetovë, Dibër, Gostivar, Kërçovë dhe Strugë me rrethina, ndërsa në zonën okupuese bullgare si p.sh. në Kumanovë, Manastir, Perlep, Resnje, Ohër dhe Shkup, mësimi në gjuhën shqipe atëherë nuk u lejua.
Nehat Jahiu në monografinë e vet shkruan se shkollat shqipe në territorin e Komunës së Likovës u hapën për herë të parë pas luftës në vitin shk.1945/46 dhe mësimin në gjuhën shqipe e zhvilluan në shtëpia private, mejtepe e xhamia.
Në Jugosllavinë e Titos, edhe pse u lejua puna legale e shkollave dhe e arsimit shqip (sepse kjo e drejtë u fitua me luftën e përbashkët, në të cilën edhe shqiptarët dolën në krahun e ngadhnjimtarëve), megjithatë, vazhdimisht u bënë përpjekje, të fshehta ose të hapura, që puna e tyre të pengohet e të kufizohet, kështu që këto të “internacionalizohen”, në mënyrë që shqiptarët mos të vetëdijësohen në pikëpamje kombëtare.
Prandaj, këto shkolla punuan në bazë të planprogrameve të përkthyera dhe në frymën e “bashkim – vëllazërimit” e të “patriotizmit socialist jugosllav”.
Madje, pati edhe përpjekje e projekte të ndryshme që shkollat e mesme në gjuhën shqipe të suprimohen me arsyetime se në këtë mënyrë shqiptarët, duke u shkolluar në gjuhën serbe (gjegjësisht maqedone), më lehtë e më shpejtë do të inkuadrohen në shoqërinë jugosllave dhe mund të punësohen në të gjitha viset e Jugosllavisë.
Megjithatë, nga këto shkolla, falë punës me përkushtim të mësuesve shqiptarë të cilët kishin filluar të ringjallin vetëdijen kombëtare, dolën shumë kuadra të shkolluara në të gjitha nivelet e arsimit.
Për këtë arsye, si regjimi shovenist i Serbisë në vitin 1981, ashtu edhe ai maqedon në vitin 2001, filluan atakun dhe dhunën kundër shkollave shqipe, duke i dëbuar nxënësit nga objektet shkollore dhe duke i përndjekur, burgosur e vrarë arsimtarët shqiptarë.
Kjo politikë shoveniste dhe gjenocidiale i detyroi shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë që t’i kapin armët në dorë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre dhe dinjitetin kombëtar.
Prandaj, ka qenë e nevojshme dhe shumë e rëndësishme që të gjitha këto përpjekje dhe sakrifica që u bënë për shkollën shqipe dhe të drejtat kombëtare, të shënohen dhe të ruhen për brezat e ardhshëm. Sepse, nuk thuhet kot se “ka ndodhur vetëm ajo që është shënuar dhe është ruajtur”.
Nëse nuk është shënuar asgjë e nuk është ruajtur asnjë dokument apo dëshmi, konsiderohet sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ndërkaq, monografia e Nehat Jahiut “Brez pas brezi në luftë për shkolla shqipe”, e shkruar me dashuri e përkushtim, me mbi 500 faqe, me fotografi, faksimile e dokumente të ndryshme, është vepër e vlefshme dhe dëshmi e gjallë për punën e madhe që bënë mësuesit shqiptarë dhe kontributin e madh që i dhanë shkollës dhe arsimit shqip.
Ata edhe në kushte e rrethana të vështira, dijtën ta ruajnë fizionominë kombëtare të shkollës dhe arsimit shqip në këto treva.
Në këtë monografi, me përpikëri është dhënë historiku i këtyre shkollave, lista me biografitë e qindra arsimtarëve e punonjësve të tjerë të këtyre shkollave, lista me biografitë e drejtorëve që i udhëhoqën me sukses këto institucione dhe pasqyra e përgjithshme e nxënësve sipas viteve shkollore.
Gjithashtu, në të janë paraqitur dhe analizuar aktivitetet e lira të nxënësve etj.
Kapituj të veçantë në këtë monografi janë: “Qëndresa heroike e një populli”, “Viti 2001 – tragjik për një popull, “Arsimi shqip gjithnjë i pengoi dikujt” etj.
Është interesant edhe kapitulli “Pritja dhe strehimi i refugjatëve kosovarë gjatë luftërave të viteve 1998/1999. (Ekzistojnë shënime se edhe disa refugjatë nga vendbanimet kufitare të Maqedonisë gjetën strehim në Kosovë, në komunën e Vitisë, gjatë trazirave të vitit 2001).
Në monografi janë dhënë edhe emrat dhe biografitë e disa arsimtarëve dhe nxënësve dëshmorë e martirë të këtyre shkollave, si dhe të atyre qytetarëve që me armë në dorë ranë në altarin e lirisë në vitin 2001.
Në fund të librit jepen edhe disa shtojca të veçanta si “Gjurmë dhe tituj”, “Faqe nga gazetat”, “Poezi – përkushtime”, “Fotografi që flasin”, “Letër nënës” (nga i biri, luftëtari i lirisë, dërguar në mëngjezin e dt.10.6.2001 me rastin e granatimit të fshatit) etj.
Për hartimin e kësaj vepre, autori ka shfrytëzuar një literaturë të pasur.
Tahir Z.Berisha
Londër, 2008