Maqedoni

Qetësohet situata në pompat e benzinës! Qeveria thotë se ka mjaftueshëm karburante

Kolona të gjata makinash me orë presin për t’u furnizuar me karburant.

Kështu ishte gjendja mbrëmë nëpër shumë pompa të benzinës. Qytetarët, pasi lexuan lajme të pavërteta, u frikësuan se nga e hëna do të rriten çmimet e karburanteve. TV21 ishte në terren për të parë se a është normalizuar situata.

“Situata në pompat e benzinës të paktën në kryeqytet sot është më e qetë siç po shihet. Nga Qeveria thonë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen, sepse ka sasi të kënaqshme të produkteve ushqimore dhe derivateve të naftës në mallrat rezervë”, raporton Almedina Ismajli, gazetare.
Qytetarët që sot i takuam nëpër pikat e karburanteve na thanë se nuk druajnë nga mungesa e derivateve, por se kanë ardhur të furnizohen siç bëjnë zakonisht.

“Jo, jo unë ja 700 denarë, erdha ta mbush rezervuarin për çdo rast. A e arsyetoni panikun e mbrëmshëm. Jo, jo nuk e arsyetoj assesi.”

“Sot mbushi. -A ka panik te ju? -Jo çfarë paniku, përse të ketë, nuk ka benzinë rri në shtëpi. -Por nëse hypin çmimet? -Le të hipë çfarë të bëjmë ne, a do ta rregullojmë ne, jo.“

“Ja tani po presim radhën të mbushim. Shumë tollovi, nuk ka askund benzinë, nuk ka karburant.”
Kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë Marko Bislimoski, për “Utrinski brifing” tha se pompat e vogla nuk kanë të drejtë të kufizojnë furnizimin me benzinë, informacion që nisi të qarkullojë, se disa pompa kanë limituar sasinë e furnizimit me derivate. Këta janë përfitues në kohë lufte që duan të bëjnë para mbi kurrizin e dikujt. Do të dërgojmë njoftim në Prokurori për këso dukuri, ka thënë Bislimovski. Ndërkaq, Qeveria ka apeluar te tregtarët e naftës që të mos kufizojnë sasinë dhe qytetarët të mos bëjnë rezerva karburanti.

Turmat dhe paniku në pikat e karburantit në disa vende të Ballkanit kanë ngjallur frikën e rritjes së çmimeve të karburanteve. Kolona kilometërshe janë parë edhe në pikat e karburantit në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. “Nova.rs” shkruan se mëngjesin e sotëm, pas orës 6 të mëngjesit, në pompat e benzinës në Beograd kanë filluar të krijohen radhë. E njëjta pamje është edhe në Sarajevë. E aty qytetarët nxituan të mbushin cisternat pasi kanë frikë se karburantet do të shtrenjtohen, shkruan Kliks.