Kim Mehmeti ironizon Evropën: Mori hap drastik, përjashtoi Rusinë nga Eurovisioni!
Mediat raportojnë se Rusia është përjashtuar nga festivali evropian i muzikës së lehtë, Eurovision 2022. Të shpresojmë se Evropa do shkojë edhe një hap tutje dhe do propozojë që bukurosheve ruse t’u ndalohet pjesëmarrja në “Miss Bota”!
Dhe përderisa Evropa vazhdon të kërkojë udhë tërthorëse si ta gjunjëzojë Rusinë – por ashtu që të mos dëmtohen interesat e saja dhe të mos pësojë SWIFT sistemi – rrjetet sociale ulërijnë nga debatet shqiptare se çka e dallon Presidentin ukrainas nga burrështetasit tanë si dhe, çka i bënë të ngjashëm kryetarët e kryeqendrave shqiptare me atë të Kievit?
Nga do që ta rrotullosh del se dallim midis burrështetasve tanë dhe atyre ukrainas ka të bëjë me atë se këta tanët ia kanë marr atdheut të gjitha që ai ka, me çka e kanë më të lehtë të ikin nga vendi, e burrështetasit e sotëm ukrainas ia kanë dhënë vendit të gjitha që kanë pasur, andaj edhe nuk kanë ku ikin ashtu duarthatë.
E sa i përket kryetarit të Kievit dhe, për shembull, kryebashkiakut të Tiranës, ata kanë shumë të përbashkëta, por edhe një dallim të vogël: Vitali Klitschko e mori në dorë Kievin pasi që u bë kampion i botës dhe milioner, e ky i Tiranës e mori në drejtim kryeqytetin për t’u bërë milioner dhe për ta ‘pushtuar’ botën.
Mbase shkaku i tronditjes së madhe nga lufta në Ukrainë, të gjithë neve na shpëtoi e pavërejtur një përparësi e madhe e jona ndaj popullit ukrainas: edhe pse në numër janë me dhjetra herë më shumë se ne, ata kanë më pak mendimtarë e opinionistë milionerë të ‘pavarur’ seç kemi ne.
Dhe andaj, duke mos qenë të ‘bombarduar’ për çdo natë nga dhjetëra emisione debative, ata edhe nuk i kapi paniku i luftës! Panik të cilin ne e jetojmë thuajse për çdo natë, duke i dëgjuar shpjegimet e ‘ekspertët’ tanë që i dinë të gjitha, por jo edhe atë se si shqiptaria të shpëtojë nga robëria ‘hajdutokrate’!
Ku ta dish, ndoshta ka ardhur koha kur nuk duhet të krahasohemi me tjerët por me këta që jemi dhe ata që do duhej të ishim, me çka më lehtë do e kuptonim se aty ku çdo gjë ‘gomarizohet’, aty ku këmborën e mbanë gomari, edhe mushka i ngjanë kalit dhe, çdo prapanicë e ulur mbi kalë të bardhë, e paramendon vetveten se është më trimi e më i mençuri i botës, por duke harruar se jo çdo hajduti, të pafytyri dhe të pamoralshmi, i ka hije diadema e heroit! (Kim Mehmeti)