Ministri Bekim Sali priti në takim ambasadoren amerikane, biseduan për çështje të rëndësishme
Sot kisha kënaqësi ta pres në një takim Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkëlqesinë e Saj, Kate Bërnz, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Sali ka falënderuar Ambasadoren për mbështetjen e madhe që SHBA-ja ia ka dhënë vendit tonë në sektorin e shëndetësisë.
“Në këtë takim biseduam edhe për digjitalizimin e shëndetësisë, që është një kërkesë e kohës dhe për të cilën janë të interesuar edhe miqtë tanë amerikanë. Si thuaja në çdo takim tjetër, edhe tema e pandemisë ishte një çështje të cilën e diskutuam dhe për të cilën e informova Ambasadoren se Ministria e Shëndetësisë po përballet me sukses me këtë sfidë dhe se kapacitetet dhe resurset që janë në dispozicion janë dëshmuar si të mjaftueshme për t’i shërbyer mjaftueshëm të gjithë pacientët që janë prekur me virusin Covid-19”, deklaroi Ministri Sali
Në takim është biseduar po ashtu edhe për themelimin e një programi nacional për stabilitet financiar dhe institucional për sektorin e Shëndetësisë, “për çka Ambasadorja shprehu interesim, ndërsa e ritheksuam edhe nevojën e vazhdimësisë së bashkëpunimit tashmë të ngritur me shtetin e Vermountit në SHBA”.
“E falënderova Ambasadoren për vizitën dhe shpreha gatishmërinë time që edhe në të ardhmen të punojmë në thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në në fushën e shëndetësisë”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.