Kolumna

Kim Mehmeti: Botën ka nisë ta ndjellë era e gjakut!

Nga Kim Mehmeti

Flitet se bota ndodhet në prag të luftës planetare! Ku ta dish, mbase ajo ka shkuar edhe më tej, e tani më ndodhet në paradhomën e saj.

Merrni dhe numëroni shtetet stabile si dhe ato ku nuk bëhet luftë dhe numri i tyre nuk do u del as sa gishtat e dy duarve.

Më në fund, mos vallë dikush beson se kjo botë mundë të qëndrojë e paluhatur mbi themelet e amoralitetit, hajnisë, padrejtësisë dhe destruktivitetit që e kanë mbuluar atë?

Nuk e vëreni se si na mësuan të mos na bëjë përshtypje kur i keqi dhe i pavleri vendosë për ne, të mos na trondit vuajtja dhe gjaku i pafajshëm njerëzorë, që derdhet nëpër botë?!

Ku ta dish, mbase janë të pashmangshme edhe kohët kur botën e mbulon plehu i jonjerëzores, kur shlyhen kufijtë mes të keqes dhe të mirës, kur ngado përhapet era e pistë e jovlerave dhe kur, për fat të keq, njeriun e ndjellë era e gjakut, e cila më në fund, o e kthjellë, o e asgjëson! (Kim Mehmeti)