Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare shënohet në Sh.F “Jashar Bej Shkupi” në Çair
Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare – 21 Shkurti u shënua sot në Shkollën Fillore Komunale “Jashar Bej Shkupi” në Çair përmes ekspozitës me vizatime me temë “Bashkimi i kulturës dhe gjuhës në prizmin e nxënësve”.
Në këtë aktivitet përveç ministres së Kulturës Bisera Kostadinovska – Stojçevska, mori pjesë edhe sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati.
Ai ka përkujtuar se Çairi është shembulli më i bukur i mbrojtjes dhe promovimit të diversitetit gjuhësor dhe kulturor që është edhe synimi i kësaj Dite Ndërkombëtare.
“Komuna jonë në përgjithësi karakterizohet për nga multietniciteti dhe multigjuhësia, sepse këtu flitet e mësohet pa asnjë pengesë në gjuhë të ndryshme amtare. Në Çairin tonë kemi 9 shkolla fillore dhe në 6 prej tyre mësimi zhvillohet në gjuhë të ndryshme.
Dhe duke uruar Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare mbetemi me shpresën se rreth 7 mijë gjuhët që fliten në mbarë rruzullin tokësor po respektohen, mbrohen e promovohen, sepse fundja llojllojshmëria gjuhësore duhet të jetë ura që na bashkon dhe na lidh me njëri tjetrin” shprehen nga komuna e Çairit.