Shqipëri

Blinken-Rama shënuan 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Blinken shkruan se janë bërë tashmë 100 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së teksa pret që të vijojnë edhe për 100 vite të tjera.

“Ishte kënaqësi të prisja Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe të festonim 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Ne mirëpresim 100 vitet e ardhshme”, shkruan Blinken në postim.

Pasditen e të martës në Uashington kryeministri Edi Rama takoi Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Takimi zgjati rreth 45 minuta dhe ishtë i një rëndësie të veçantë. Blinken shprehu mirënjohje për pritjen në Shqipëri të mbi 2 mijë refugjatëve afganë.

Rama tha se e vlerëson shumë miqësinë me SHBA dhe se Shqipëria do të bëjë maksimumin për ta merituar këtë miqësi të veçantë.

“Ne e vlerësojmë këtë miqësi, këtë marrëdhënie si gjënë më të vyer. Jemi shumë krenarë të gjendemi krah jush dhe të ndihmojmë sa të mundemi, për të kthyer atë ç’ka ju keni bërë për ne gjatë këtyre viteve, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ndodhen.

Kështu, jemi shumë krenarë që jemi aleatët tuaj dhe do të bëjmë maksimumin për ta merituar këtë miqësi të veçantë”- u shpreh Rama.