Qindra qytetarë të Maqedonisë në Ukrainë, sa janë kthyer prej atje?
Për momentin, Ministria e Punëve të Jashtme nuk jep informacione se sa shtetas të Maqedonisë që ishin në Ukrainë janë kthyer në vend. Janë regjistruar qindra njerëz që banonin në Ukrainë, shkruan Alsat.
Dy diplomatë tanë me siguri do të qëndrojnë në Kiev si dhe rreth 30 vëzhgues që janë pjesë e OSBE-së, megjithëse disa nga shtetet anëtare të kësaj organizate tashmë po tërheqin stafin e tyre. Ndërkohë, derisa informacioni i sigurisë u përhap se një pushtim ushtarak rus është i pashmangshëm, banorët e Kievit shprehen të qetë.
“Duhet të shqetësohemi vetëm për diçka që mund të ndikojmë. Sigurisht që i shikoj lajmet, por përpiqem të mos shqetësohem”, thotë një banor i Kievit.
“Nuk besoj se Rusia do të na sulmojë. Kam miq në Sakalin, në Krasnodar… Nuk besoj se do të na sulmojnë”, thotë një tjetër banor.
Përpjekje të reja për të kapërcyer tensionet priten nesër, kur zyrtarët ukrainas dhe rusë do të ulen në një tryezë të përbashkët. Takimi do të zhvillohet pasi Ukraina, përmes Marrëveshjes së Vjenës të OSBE-së, kërkoi informacion nga Rusia për kapacitetet ushtarake në kufi, por nuk mori përgjigjen e dëshiruar.
“Si përgjigje, ne rikonfirmuam shqetësimin tonë për zgjerimin e rrezikshëm të NATO-s në lindje në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, përfshirë Ukrainën”, ka thënë Vlladimir Putin – President i Rusisë.
“Rusia e ka formuluar përgjigjen në një mënyrë, që nuk ka asnjë lidhje me Marrëveshjen e Vjenës. Në këtë mënyrë, Rusia po përpiqet të shmangë përgjigjen ndaj aktivitetit të saj ushtarak përgjatë kufijve tanë dhe të transferojë përgjegjësinë në Ukrainë”, u shpreh Oleg Nikolenko – Zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës.
Edhe Kievi zyrtar konfirmoi se angazhimi i tyre mbetet anëtarësimi në NATO, pasi më parë ambasadori ukrainas në Londër, Vadim Pristayko, tregoi se vendi i tij po shqyrton lëshime serioze ndaj NATO-s, me qëllim shmangien e luftës./ Alsat.mk