Vazhdon dialogu ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, definohen çështjet politike prioritare
Këtë javë vazhdon dialogu intensiv ndërmjet grupeve të punës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të cilat i dakorduan kryeministrat e të dy vendeve Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov. Pas bisedave të javës së kaluar në Sofje, është planifikuar edhe takim i ri për pakon e çështjeve politike, këtë herë në Shkup. Të dy vendet i definuan çështjet prioritare për të cilat do të kërkohet zgjidhje. Për palën maqedonase janë çështjet e identitetit në kornizën negociuese si zgjidhje evropiane, ndërsa për palën bullgare çështja e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
Takimi i dytë i ekspertëve të Ministrive për Punë të Jashtme nga të dy vendet për çështje politike do të mbahet në Shkup pas 20 shkurtit. Pritet të dy delegacionet të vijnë me instruksione të reja politike në bazë të bisedave që janë udhëhequr në mbledhjen e parë më 11 shkurt në Sofje, në të cilën detajisht do të kërkohet elaborimi i pozitave nga të dy anët.
Shefi i Diplomacisë Bujar Osmani thotë se pozitat ende janë të ndryshme, por dialogu për gjetje të zgjidhjeve të përbashkëta vazhdon.
“Pozitat tona shtetërore janë të qarta dhe nuk ka ndryshime. Çështjet më të rëndësishme për ne janë çështjet e identitetit në kornizën negocuese si zgjidhje evropiane, për ta është çështja e komunitetit bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kjo e identifikon në ndonjë mënyrë rrugën përmes së cilës duhet të zhvillohet ky proces. Pakoja e çështjeve politike i përfshin çështjet që janë të rëndësishme për ne, dy janë kërkesa të rëndësishme për ne, e ajo është pranimi i kornizës negocuese, siç është propozuar nga ana e Komisionit Evropian, posaçërisht lidhur me atributet e identitetit dhe fillimin e negociatave. Nga ana e Bullgarisë janë çështjet lidhur me të drejtën e vetpërcaktimit në bazë të rregullimit shtetëror, fjalës së urrejtjes dhe rehabilitimit të viktimave të komunizmit. Kjo është pako e çështjeve ku janë përfshirë elemente nga njëra apo pala tjetër”, sqaroi Osmani në brifingun e sotëm me gazetarët.
Ai mendon se për momentin nuk nevojiten provokime dhe keqpërdorim të çështjes për shkak të politikbërjes dhe politikës ditore partiake, por deeskalim të marrëdhënieve, sepse zhvillimi ynë pengohet përmes bllokadës së BE-së.
“Kam qëllim përfundimtar, e ai qëllim është që ky shtet të bëhet shtet evropian, t’i normalizojë marrëdhëniet me fqinjët, duke e ruajtur atë që është më e rëndësishme për qytetarët. Për këtë më duhet më shumë mençuri në veprimin sesa emocione. Këtë punë ose do ta bëni me kokë ose me zemër. Me zemër mund të sjell popullaritet në moment, do të kënaq disa frustracione, emocione dhe pakënaqësi, por në fund nuk do të çojë aty ku dëshirojmë. Për këtë shkak kjo punë duhet të bëhet me kokë të ftohtë dhe zemër të ngrohtë, vetëm ashtu do të mund ta tejkalojmë. Por, qytetarët mund të jenë të qetë se nuk do të lejojmë asgjë që është thelbësore për identitetin e tyre, të lëndohet”, tha Osmani.
Edhe një herë përsëriti se ne po udhëhiqemi nga parimi që për asgjë nuk është arritur marrëveshje, dhe për këtë shkak, nënvizoi Osmani, për ne është me rëndësi të ketë pako të elementeve të lidhura mes veti si fillim të procesit të implementimit të pikave të kontraktuara.
Për kërkesën e bashkësisë bullgare në vend të përfshihet në Kushtetutë, thotë se kjo çështje është pjesë e bisedave, por nuk është zgjidhur.
Sipas shefit të diplomacisë, bashkësia bullgare duhet të drejtohet në institucionet në Shkup dhe vetë të tregojnë nëse kanë vështirësi dhe nëse kërkojnë mënyra si të integrohen në sistem, ndërsa kjo tha, nuk duhet të na frikësojë, përkundrazi, nuk ka terren ku jemi më të fuqishëm sesa në multikulturalizmin.
Paralelisht me bisedat e ekspertëve për pakon e çështjeve politike, me dinamikën e re në bisedat me Bullgarinë, më 17 shkurt pritet të mbahet mbledhje e grupit të katërt të punës – për arsim dhe kulturë, si dhe mbledhje e grupit të tretë – për integrim evropian, agjendë dë gjelbër dhe digjitalizim.