Maqedoni

Neurokirurgu i suksesshëm që e braktisi Maqedoninë! Për 5 vjet 782 mjekë kanë ikur në vendet e perëndimit

Jetmir Sadiku është një nga neurokirurgët e shumtë që punojnë në Gjermani. E ka braktisur vendin, duke kërkuar kushte më të mira për punë dhe jetë. Ai është neurokirurg në Qendrën Klinike Universitare Helios. Ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë USHKM-së. Disa vite ka punuar në Kërçovë, kurse nga viti 2015 punon si mjek në Gjermani, ku edhe specializoi.

“Do të ndaj dy ja arsyet kryesore përse u largova: e para është organizimi joadekuat i programeve për specializim nga ana e Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë, të cilat ndahen në specializime shtetërore dhe me vetëfinancim. Dihet se specializimet shtetërore i marrin kandidatët që kanë lidhje me politikat ditore, lidhje personale apo familjare. Grupi i dytë janë ato me vetëfinancim. Arsyeja e dytë janë rrogat e ulëta të cilat deri në vitin 2017/18 ishin tejet të ulëta“, tha Dr. Jetmir Sadiku, neurokirurg.

Gjermania dhe Maqedonia nuk mund të krahasohen sa i takon standardit të jetesës, por ja cilat janë kushtet financiare për punë, për shkak të të cilave shumë njerëz vendosin të largohen.

“-A mund të bëhet diferencë në rrogat? Nëse dimë sa ishin rrogat në vitin 2014, kurse unë me punë fillova një vit e gjysmë ose dy vjet më vonë, ne në Gjermani marrim rroga dhjetëfish më të larta“, tha Dr. Jetmir Sadiku, neurokirurg.

Po a do të kthehej Dr.Sadiku në vendlindje, duke pasur parasysh se këtu është lindur, këtu e ka familjen dhe këtu ka investuar në arsim:

“Gjithmonë e parashtrojmë pyetjen e njëjtë – sa është i gatshëm vendi që personelin që është larguar, elitën e artë, ta kthejë në vendlindje me kushte më të mira për punë, e me këtë nënkuptoj – teknologji më të reja, harmonizimi i punës me standardet e BE-së, e këtu hyn edhe aspekti financiar. Këtë pyetje duhet t’ua parashtrojmë institucioneve shtetërore“, pohoi Dr. Jetmir Sadiku, neurokirurg.

Për vetëm 5 vjet vendin e kanë braktisur 782 mjekë. 120 infermiere dhe 5 laborantë janë larguar nga Qendra Klinike brenda 3 viteve të fundit. Nga të dhënat sipas licencave të marra, mund të vërejmë se numri i mjekëve që janë larguar jashtë vendit është ulur gjatë pandemisë.

Sa mjekë janë larguar nga vendi për 5 vjet?

-Viti 2017 – 180

-Viti 2018 – 190

-Viti 2019 -170

-Viti 2020 – 110

-Viti 2021 – 132

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se për momentin ka kuadro të mjaftueshme në klinikat dhe të gjitha aktivitetet po menaxhohen në përputhje me nevojat e pacientëve.

“Puna është organizuar në mënyrë që të jepet mbrojtje e vazhdueshme shëndetësore 24 orë në ditë. Sipas Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore dhe Marrëveshjes Kolektive, puna e mjekëve është organizuar me kujdestari, kurse puna e infermierëve dhe ndihmësmjekëve është organizuar me turne“, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Shtojnë se lëvizja e personelit nga shëndetësia publike në sektorin privat është dukuri e zakonshme dhe se situata po ndryshon vazhdimisht.