Partitë shqiptare duhet të garojnë veç e veç në zgjedhjet e ardhshme, ta shohim kush është “Reali” e kush “Barcelona”!
Shkruan: Emad MEHMETI
Nuk e di kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, të nderuar lexues. Këtë as “baba Vangja” nuk mund ta qëllojë! Sepse ndodh tek ne – në këto hapësira Ballkanike që për një orë të ndryshojnë rrenat ekonomike – politike, e jo më për 24 orë.
Ndaj, do të shkruaj për një situatë hipotetike sikurse zgjedhjet parlamentare do mbahen së shpejti. Por edhe nëse nuk mbahen së shpejti, mendoj se pyetja që dua ta parashtroj do të jetë aktuale, kurdo që të mbahen zgjedhjet e ardhshme.
Pyetja është se a duhet partitë shqiptare të garojnë secila veç e veç?
Kjo nuk është vetëm një hipotezë që po qarkullon me të madhe në koluaret gazetareske, por qarkullon edhe në ato politike. Opsioni, që zgjedhjet së shpejti mund të na trokasin në derë duket tepër real. Në njërën anë, edhe përskaj krizave të ndryshme nëpër të cilat kalon shteti, sapo shfaqet në horizont mundësia për zgjedhje të parakohshme, pushteti jonë i “varfër” nuk i kursen aspak Euro-integrimet për të mbijetuar sa më gjatë (ani pse ato mund të përdoren për punë më të mençura). Por, në anën tjetër, llogaritë e pushtetit i komplikon legjitimeti jo i plotë i kësaj qeverie, që kontestohet vazhdimisht që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale?
VMRO-DPMNE dhe ASH kërkojnë zgjedhje të parakohshme nën pretekstin se kemi të bëjmë me një qeveri LSDM-BDI, e cila është korruptive dhe pa legjitimitet. Nuk do mend se legjitimiteti i kësaj qeverie është në pikëpyetje, sidomos pas dorëheqjes së ish – kryeministrit Zaev, e pas fitores së madhe të opozitës maqedonase në zgjedhjet lokale. Është e vërtetë se qeverisjen e bëjnë numrat, dhe kryeministri Kovaçevski për momentin i ka numrat e nevojshëm, por me sa duket nuk e ka guximin dhe kapacitetin e nevojshëm për të ushtruar pushtetin e duhur brenda partisë së tij LSDM-së, e le më karshi të tjerëve.
Kjo mbase vjen si pasojë i faktit se ai në LSDM, e veçanërisht në kreun e qeverisë erdhi si “parashutist”, pa e njohur sa duhet as bazën e partisë, e as rendin e kryeministerllëkut. Për këtë arsye mund të bëjë gabime edhe më të mëdha, që i përkthehen në minus – në veprimtarinë e tij qeverisëse individuale, por edhe në veprimtarinë qeverisëse të LSDM-së si parti.
E bëra këtë prolog për të kaluar te thelbi i temës, sepse një qeverisje me mangësi, shton edhe më shumë gjasat për zgjedhje të parakohshme.
E nëse ndodhin zgjedhjet e parakohshme, parashtrohet pyetja se si çfarë strategjie duhet të përcjellin partitë shqiptare, për të maksimalizuar rezultatet.
Prej vitit 2016 e këndej, në vazhdimësi kemi pasur ndonjë koalicion parazgjedhor mes partive opozitare shqiptare. Herë njëra e herë tjetra kanë ngritur e kanë batisur bashkërisht. BDI, si parti në pushtet, nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët me ndonjë parti shqiptare edhe pse nuk e pa pasur problem tani e 20 vite të bashkëqeverisë me partitë maqedonase, duke filluar nga më të mëdhatë VMRO-ja dhe LSDM-ja, e deri te ato me mbiemër “VMRO-narodna” ose “zabavna”.
Që nga koha e PPD-së së Abdiladi Veselit, BDI vetë është ngritur në zgjedhje, e vetë ka batisur, duke i mbetur besnike filozofisë “më mirë mos me pas punë me shqiparët”.
Për këtë arsye, kur do që të mbahen zgjedhjet parlamentare i qëndroj mendimit se edhe çdo parti tjetër shqiptare, duhet të del e vetme në zgjedhje për të “matur” veten në kantarin e elektoratit shqiptar. Anketa bëhen çdo ditë, por besoj të gjithë pajtohemi se anketa më e mirë janë zgjedhjet. Anketimi i drejtpërdrejtë te elektorati mund të krijojë një situatë më të qartë tek blloku opozitar. Atëherë nuk do të mund të thotë as njëra, as tjetra, kush është më e forta e kush më e dobëta, ngase do i kemi rezultatet zgjedhore veç e veç për çdo parti, që do tregojnë qartazi se ku qëndrojnë. Pastaj, kemi edhe një pasqyrë të qartë e ç’veshur nga moralitetit, se kush kë tradhëton, e kush është idealist. Asnjëra nuk do të mund të ankohet se partneri i koalicionit na bëri me hile.
Sepse tani më jemi bindur se ideali është vetëm floskul dhe paravan për të arritur tek pushteti, e jo bazë e veprimit të ndonjë partie.
Jam i sigurt se është më mirë që BDI, ASH, AAA dhe BESA në zgjedhjet e ardhhme duhet të dalin veçmas me programet e tyre për t’u përballur me votuesit, e më pas ne do të zgjedhim kush e mriton votën tonë. Ose, nëse shprehem me fjalor sportiv, secili ekip duhet ta veshë “fanellën” e vetë në fushë, që publiku ta ketë më lehtë të bëjë dallimin kush po shënon “gola”, e kush po shënon “autogola”. Do të shihet në “teren” se kush është “Reali”, e kush “Barcelona”, apo kush po shitet te ekipi kundërshtar për miliona e miliona. Gjithsesi do të kuptohet edhe cili ekip meriton të bie nga liga e parë dhe garat t’i vazhdojë në ligë të dytë ose të tretë. Publiku (votuesit) do të jenë në situatë më lehtë të vlerësojnë se cilën ekipë duhet ta luajnë 1 (njish), cilën “iks”, e cilën 2 (dysh). Kuptohet nëse edhe referi është korrekt dhe nuk “fishkëllon” penallti të paqena për ekipin më të pasur.
Vetëm në një garë të atillë drejtuesit e skuadrave do të mund ta dëshmojnë veten cili meriton t’i vazhdohet kontrata, e cilit duhet t’i ndërprehet, që ekipi i tij nën drejtimin e një trajneri tjetër të mund të rikthehet në ligë të parë në kampionatin (zgjedhjet) e ardhëshme./Marrë nga Lideri.mk