Dygjuhësi gjysmake edhe në rajonet shqiptare
Ende shumë institucione si në nivel qendror dhe atë lokal, vazhdojnë të rezistojnë që të implementojnë ligjin për gjuhën shqipe. Pikërisht muajin e ardhshëm do të publikohet edhe raporti më i ri për punën e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i këtij institucioni, Ylber Sela. Sipas tij, ligji për përdorimin e gjuhëve ka edhe suksese por ka edhe stagnime, pasi që ka institucione që e kanë ecur punën mirë, kanë përparuar me zbatimin e ligjit, por ka institucione që kanë përparuar dhe më pas kanë shënuar regres.
“Aty ku drejtuesit janë shqiptar normalisht se gjuha shqipe më lehtë gjen zbatim, por ka drejtues shqiptar që nuk e kanë marrë shumë si prioritet këtë obligim, kurse pjesa më e madhe e drejtuesve shqiptarë e kanë ecur këtë proces.
Problemet dhe stagnimet janë aty ku drejtuesit janë maqedonas dhe aty ka mungesë të përkthyesve, ndonjëri nuk ka vullnet, ka edhe paragjykime tek disa drejtues maqedonas. Kemi ankesa nga qytetarët se formularët nuk janë në dy gjuhë, pra kemi inspektoratin e tregut për shembull dhe disa institucione tjera. Normalisht ne si agjencion nuk rrimë duarkryq, u dërgojmë letra, u rekomandojmë që ne do t`i përkthejmë, do ti lekturojmë dhe ju vetëm duhet që ti vendosni në funksion”, tha Sela.
Në rast se institucioni nuk vepron, atëherë duhet që Inspektorati për zbatimin e gjuhës të del në teren dhe të shqiptojë dënime. Lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në uniformat e policisë, ushtrisë dhe zjarrfikësve, mbrojtjes për shpëtim, Sela thotë se ka realizuar takim edhe me kreun e dikasterit të policisë, Oliver Spasovski, nga i cili ka marrë premtime se do të realizohet ky obligim.
”Kam patur takim me Ministrin Spasovski dhe kam marrë premtim se do të bëhen. Ligji është shumë i qartë edhe në përgjigjen e komisionit të Venedikut qëndron se dygjuhësia mund të zbatohet në këta institucione, tani ka edhe një vendim të qeverisë dhe tash duhet drejtuesi i institucionit ta bëjë, nëse jo ka inspektorat”, theksoi Ylber Sela.
Uniformat në dy gjuhë do të jenë vetëm në ato territore ku shqiptarët janë mbi 20 për qind. Në rajonin e Pollogut, ku shumica e banorëve janë shqiptarë, akoma në disa prej komunave rurale tabelat në rrugë nuk janë të shënuara në dy gjuhë. Edhe përskaj zotimeve nga drejtuesit të ndërmarrjeve përgjegjëse se të njëjtat do të ndryshohen megjithatë në këtë drejtim nuk është bërë asgjë deri më tani. (koha.mk)