Hasani: Nëse ka nevojë do të shqyrtohet mundësia për vaksinim pas Iftarit gjatë muajit Ramazan
Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut sot ka dalë me sqarim se vaksinimi gjatë muajit të Ramazanit nuk e prishë agjërimin. Kurse zëvendës ministri i Shëndetësisë, Ilit Hasani, në një deklaratë për gazetën Lajm, thotë se në rast që ka besimtarë të cilët kanë dilema edhe pas këtij sqarimi të BFI-së, atëherë do të shqyrtohet mundësia për vaksinim edhe pas Iftarit.
“Per te evituar çdo dyshim a e prish ose jo vaksina agjerimin, jemi të gatshëm të diskutojmë mundësinë për vaksinimin e agjëruesve të ramazanit edhe pas iftarit për persona që kanë ende dilemë se vaksina mund tua prishë agjerimin”, thotë Hasani për gazetën Lajm.
Paraprakisht Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes një komunikate ka njoftuar se sipas gjitha analizave që janë bërë nga ky institucion është marrë vendimi që vaksinat kundër Covid-19 nuk e prishin agjërimin.
“Marrë parasysh faktin se edhe këtë vit besimtarët islamë do të fillojnë agjërimin e Muajit të Ramazanit nën hijen e pandemisë Kovid-19, dhe me përpjekjen autoriteteve kompetente për stimulimin e imunitetit kolektiv përmes vaksinimit, Mexhlisi për Fetva pranë Rijasetit të BFI-së në RMV, duke shqyrtuar argumentet autentike islame dhe duke u konsultuar me fetvatë e qendrave dhe akademive shkencore islame, informon besimtarët islamë se të gjitha vaksinat kundër Koronës, nuk e prishin agjërimin e agjëruesit edhe nëse merret gjatë ditës së agjërimit të Ramazanit”, thuhet në njoftimin e BFI-së