Maqedoni

Besimi – Bjerde: Rimëkëmbja e rritjes ekonomike përmes “Planit për financim të rimëkëmbjes ekonomike dhe rritjes së përshpejtuar”

“Ministria e Financave punon në drejtim të Planit për financim të rimëkëmbjes ekonomike dhe rritjes së përshpejtuar, i cili ka për qëllim unifikimin e të gjitha iniciativave, planeve dhe fondeve të alokuara të Qeverisë dhe partnerëve financiarë ndërkombëtarë për realizimin e projekteve kapitale për këtë periudhë. Qëllimi i këtij dokumenti është të dizajnojë mënyra inovative për zbatimin e investimeve publike, duke i shfrytëzuar fondet në dispozicion nga kreditorët zyrtarë për mobilizimin e investimeve private. Kjo do të kontribuojë në rritje të shumëfishtë të investimeve dhe njëherit zbatimin e konsolidimit fiskal,” theksoi ministri Fatmir Besimi në takimin me Ana Bjerde – nënkryetare e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore dhe Linda Van Gelder – drejtoreshë rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, realizuar në kuadër të Takimeve pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Ky plan do të luajë rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, jo vetëm përmes financave publike, por edhe përmes mobilizimit të kapitalit të sektorit privat. Pritshmëritë janë që përmes këtij plani të mundësohet përshpejtimi i rritjes ekonomike në 5 përqind rritje mesatare vjetore deri në vitin vitin 2025, konsolidim gradual fiskal të borxhit publik dhe deficitit buxhetor, rritje e investimeve në sektorin publik dhe rritje e investimeve në sektorin privat”, theksoi Besimi.
Besimi informoi se përforcimi i investimeve private do të mbështetet përmes fondeve zhvillimore, fondeve për mbështetje të inovacioneve, fondit të garancës, fondeve ekvite, fondit për kapitalin sipërmarrës (venture) dhe instrumente të ngjashme për mbështetjen e kompanive eksportuese, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjeve sociale. Planifikohen partneritete publike private, koncesione dhe instrumente të tjera për financimin e projekteve kapitale publike, por edhe për sektorin privat. Këto janë projekte që janë të përfshira në kuadër të Komitetit Nacional Investues (KNI), si dhe projekte të reja, që mund të dalin si iniciativa nga sektori publik dhe privat.
Përmes këtyre mekanizmave, instrumenteve, fondeve dhe burimeve financuese të reja, duhet të krijohet efekt multiplikativ, ku përveç investimeve të planifikuara publike në vlerë prej 4 miliardë euro për periudhën 2021-2025, do të mobilizohen shumfish më shumë mjete dhe investime nga sektori privat. Si rrjedhojë, do të rriten për disa herë investimet në ekonomi dhe do të kontribuohet në mënyrë shtesë në përshpejtimin e rritjes së bruto prodhimit vendor dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Në takimin me nënkryetaren e Bankës Botërore u diskutua edhe për Kornizën katërvjeçare për bashkëpunimin e vendit tonë me Bankën Botërore.
Ministri informoi se ligjet lidhur me Projektin për efikasitetin energjetik në sektorin publik dhe Projektin për avancimin e arsimit fillor, të cilat janë pjesë e kornizës katërvjeçare, janë miratuar nga Kuvendi dhe mund të nënshkruhen marrëveshje si dhe të fillohet me realizimin e tyre. Siç është theksuar, nënshkrimi i marrëveshjeve pritet të bëhet së shpejti.