Kulturë

“Bardhësitë e Atdheut”, encikolopedia e UÇK-së që duhet ta ketë çdo familje shqiptare

Është një libër që duhet futur në Guinnes, jo thjesht për peshën, 5 kg, por dhe për atë çfarë ka brenda. Afrim Mustafa, me një punë gjigandeske, i ka dhuruar Kosovës një prej veprave më unikale kushtuar luftës, me të dhëna që përbëjnë një arkiv më vete, dhe që një shtet serioz do ia përpinte për hir të memories. Megjithatë, duket se kjo ndjeshmëri nuk ekziston, së paku duke gjykuar nga mospasja e një mbështetjeje ndaj kësaj pune të autorit Mustafa

Mustafa në intervistën për tesheshi.com tregon në hollësi si vendosi ta botoi këtë libër, për vështirësitë qoftë financiare për ta botuar, dhe ato për të mbledhur informata sidomos për dëshmorët në Kosovën Lindore dhe Maqedoni, se si krerët e shtetit ja morën nga një libër veç sa për të bërë reklamë për vete dhe ja kthyen më pas shpinën, dhe si përkundër gjithë këtyre nuk do ndalet derisa ta përkthen librin edhe në gjuhë të huaja…

Intervistoi: Blendi Gashi

Si gazetar që keni parë nga afër luftën e UÇK-se vite më parë keni botuar një libër vuliminoz. Si erdhi ideja dhe sa e kishit vështirë ta realizonit?

Unë kisha nderin të jem pjesë e të lavdishmes UÇK dhe kam vepruar si gazetar në disa zona operative, si të Drenicës në fillim, pastaj të Nerodimes, Karadakut dhe Pashtrikut, ku kam raportuar për mediume të ndryshme sidomos për televizionin shqiptar (TVSH) që ishte dritarja e vetme informative për miliona shqiptarë gjatë kohës së luftës gjatë viteve 1998-1999.

I vetëdijshëm se nuk mjaftonte vetëm pjesëmarrja ime në luftë, unë vendosa të botojë edhe një enciklopedi me të gjithë dëshmorët e të tri ushtrive çlirimtare, UÇK në Kosovë, UÇK në Kosovën Lindore dhe UÇK në Maqedoni, të titulluar “Bardhësitë e Atdheut”.

Libri përfshinë mijëra fakte, dëshmi e dokumente nga luta por edhe dokumente dhe argumente nga heroizmat dhe lavditë tona atdhetare nga viti 1878, nga viti i themelimit dhe veprimit të ngjarjes së Lidhjes së Prizrenit, deri në vitin 2002 kur përfundoi lufta në Maqedoni.

Enciklopedia gjithëkombëtare përfshinë 3000 dëshmorët e rënë në fundshekullin XX dhe fillimin e shekullit XXI, po ashtu 28000 fakte, dokumente, dëshmi dhe argumente shumë të rëndësishme të historiografisë sonë gjithëkombëtare si dhe pasqyrohen edhe 30 masakra të kryera në fshatra e qytete në Kosovë e Maqedoni.

Libri quhet “Bardhësitë e Atdheut”. Nga ideja për këtë emër?

Ideja për këtë emërtim është e imja. Bardhësi sjellin vetëm njerëzit që kanë zemrën dhe shpirtin e bardhë, dhe kush e ka të tillë më shumë se dëshmorët e vendit që kanë sjellë vërtetë bardhësi dhe liri për Kosovën.

Sa e kishit vështirë të mblidhnit të gjitha këto dëshmi e dokumente, veçanërisht në Luginë e Maqedoni?

Vështirësitë ishin posaçërisht në mbledhjen e të dhënave dhe hulumtimeve në Kosovën lindore për dëshmorët e UÇPMB-së pasi atje nuk mund të shkoj për arsye se të gjithë luftëtarët e UÇK-së e kanë të ndaluar.

Me kënd kontaktove pra, si ja bëre?

Kontaktova me të gjithë familjarët e dëshmorëve por komunikimin e kemi realizuar në qytetin e Gjilanit.

Po ashtu kam pasur bashkëpunim me ish-drejtorin gjeneral politik të UÇPMB-së, Jonuz Musliu i cili nuk jeton më, me Shefket Musliun e komandant të tjerë.

Sa keni pasur përkrahje institucionale te realizoni e ribotoni këtë libër?

E meta kryesore është mospërkrahja totale nga institucionet e Kosovës si nga ato qendrore dhe lokale, të cilat vetëm kanë premtuar por nuk kanë ndihmuar pothuajse asgjë edhe pse e kanë pranuar librin për të cilin kanë dhënë vlerësime shumë të larta.

Ata duhet të veprojnë dhe ndihmojnë këtë libër, jo pse unë jam autori, por sepse libri është gjithëkombëtar dhe shumë dimensional dhe i vetmi libër që flet për dëshmorët veç e veç.

Asnjë institucion nuk ju ka përkrahur?

Përkrahje modeste kam marrë vetëm nga komuna e Lipjanit dhe ish-kryetari Shukri Buja dhe komuna e Gjakovës dhe ish-kreu Pal Lekaj.

Po ashtu edhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës e cila për katër herë ka blerë nga dhjetë ekzemplarë.

Po ashtu kam pasur përkrahje modeste nga donatorë në Kosovë e Maqedoni, por librin e kam botuar kryesisht me mjete vetanake.

Librin e ribotuat sivjet. Si ja dole? Sërish me mjete vetanake?

Ribotimin e kemi bërë me mjete vetanake dhe disa nga fitimet prej librave që kemi shitur dhe sa libra të shiten do prodhojmë ekzemplarë të tjerë.

Duhet ta ceki se ky ribotim ka plotësim me rreth 120 faqe.

Kemi parë se keni një foto me presidentin aktual Hashim Thaçi? Kur ju ka pritur në takim dhe a ju ka premtuar përkrahje?

Po, jam takuar me Thaçin në vitin 2014 sa ka qenë kryeministër dhe më ka premtuar shumë por ka realizuar pak, apo thënë më mirë fare edhe pse e ka cilësuar librin si të shenjtë.

A keni synuar ta takoni sërish dhe t’i thoni pse nuk e mbajte premtimin?

Po, kam bërë përpjekje, por për fat të keq të mos qasjes në Presidencë nga ana e këshilltarëve të tij, nuk kam arritur ta takoi sërish. Edhe pse nuk dua ta fajësojë askënd, ata (këshilltarët) mund të jenë sherri i mospërkrahjes nga ana e tashmë presidentit, sepse në takim ma ka dhënë fjalën se do ta përkrahë librin. Ai mund të mendojë se puna është kryer, pra që kam marrë mbështetje atëherë nga qeveria por kjo nuk ka ndodhur.

Përkundër të gjithave do të tentoi ta takoi sërish për ta pyetur rreth përkrahjes së premtuar.

Po kryekuvendarin e kryeministrin, apo kryetarë të komunave i keni takuar?

As kryekuvendarin nuk kam mundur ta takoi. Ndërsa kryeministrit ja kam dërguar para një muaji një projekt të cilin e kam protokolluar në Kryeministri për ta përkrahur librin, konkretisht për ta financuar që nga një ekzemplarë t’iu jepet familjeve të dëshmorëve pasi shumica prej tyre nuk e kanë librin, por ende nuk kam marrë një përgjigje.

Kurse sa ju përket kryetarëve të komunave, ju kam shkruar disa prej tyre, por deri më tani më është përgjigjur vetëm komuna e Istogut me kryetarin Haki Rugova që më kanë premtuar se do përkrahin librin me 1 mijë euro.

Nga deklarimi juaj po kuptohet se ky libër mungon në shumicën e institucioneve qofshin qendrore apo lokale edhe pse do ishte mirë ta mbanin në zyret e tyre?

Shumica nuk e kanë. Kërkojnë t’ua dërgoi një libër dhe më pas premtojnë se do blejnë deri 50 ekzemplarë, por pasi ua dërgoi librin më pas nuk lajmërohen. Do ishte mirë të paktën vetëm nga një libër ta blenin.

Po sa blihet libri në Maqedoni?

Ka interesim, por nuk po mund të shkojmë shpesh sepse kontrollet janë të rrepta. Do duhej të ishte një ekip që do organizonte shitjen e shpërndarjen, por fatkeqësisht mungon dhe vetëm personalisht po e kam të vështirë.

Librin e kanë disa ish-komandantë që me vullnetin e tyre e kanë blerë nga një ekzemplarë, por është shumë pak që ta kenë në duar 2-3 persona në Tetovë.

Ndërsa me financat e mia librin ua kam dhënë familjarëve të dëshmorëve në Maqedoni.

A është ky libri më i kompletuar që Kosova mund ta shfrytëzojë si dëshmi për të bërë padi ndaj Serbisë për krimet e kryera në Kosovë?

Është i vetmi libër më gjithëpërfshirësi, më argumentuesi për luftën dhe masakrat që kanë ndodhur. Jo që e them unë, por e kanë thënë edhe intelektualët, akademiku i ndjerë Esat Stavileci, gjenerali Kudusi Lama, gjernerali Shukri Buja etj.

Ky libër sigurisht se do ta argumentonte padinë ndaj Serbisë.

A synoni ta përktheni edhe në gjuhë të tjera që të pasqyrohet lufta e shqiptarëve?

Synimi është të përkthehet në shumicën e gjuhëve të botës, si anglisht, gjermanisht, turqisht italisht, spanjollisht, arabisht, kroatisht, serbisht etj.

Deri më tani janë përkthyer 200 faqe në anglisht por libri ka 1800 faqe. Nëse kryeministri do përkrahte libri do të përkthehej deri në mars të vitit të ardhshëm, nëse jo do të kërkoi donatorë.

Por synoi që së pari ta përkthejë në anglisht dhe turqisht.

Cili është mesazhi juaj për fund?

Mesazhi im është që kush ka mundësi ta përkrahë këtë libër për çka do ju isha shumë falënderues, jo pse unë jam autori sepse do e përkrahnin tri luftërat çlirimtare të shqiptarëve. /tesheshi.com/