Profesoresha tetovare Rabije Murati pjesë e listës së 100 grave më me ndikim në botë
Profesoresha universitare nga Tetova, Rabije Murati është zgjedhur në mesin e 100 grave me ndikim më të madh në botë nga ALL (ALL Ladies League) – Lëvizje multinacionale e motërzimit global.
Ajo është pjesë e grupit të quajtur G100 ku janë emëruar gra lidere në sektorë të ndryshëm. Në listë janë edhe më shumë gra nga Maqedonia e Veriut ndërsa profesoresha Rabije Murati është përfshirë për shkak të arritjeve të saj në sferën e shkencës. Ajo është doktore e shkencave pedagogjike, profesoreshë e rregullt shumëvjeçare në Universitetin në Tetovë dhe prodekan i Fakultetit Pedagogjik.
“Ideja është kjo lëvizje ndërkombëtare është se si të përforcohen gratë në nivel global dhe të angazhohemi për të drejta të barabarta dhe mundësi të grave dhe burrave. Në këtë grup bëjnë pjesë gra të cilat janë të dëshmuara në profesionin e tyre, në shoqëri, në nivel shkencor etj. Dëshirojmë t’i nxisim gratë të vijnë në shprehje dhe të japin kontribut në drejtim të asaj sa më shumë të vlerësohet gruaja. I inkurajojmë gratë të angazhohen, secila në fushën e saj të krijojnë kapacitete më të mëdha. G100 është grup eminent prej 100 grave lidere dhe më të fuqishme në botë me vizion që të ndikojnë në të ardhmen”, deklaroi prof.dr. Rabie Murati.
Prof. dr. Murati është kryetare e selisë rajonale të ALL për rajonin e Pollogut në sektorin për komunikim dhe përfaqësim.